Suli kundër qëndrimit të të alkoolizuarve pranë atyre me probleme mendore
Emanuela Sako
Të sëmurët me probleme mendore dhe të alkoolizuarit do të qëndrojnë në dy godina që ndodhen pranë njëra- tjetrës. Për këtë çështje, Shefi i pavijonit të Psikiatrisë në QSUT, Anastas Suli, kërkon largimin e shërbimit për të alkoolizuarit nga ish-godina e urgjencës së psikiatrisë dhe kthimin e këtij shërbimi pranë Spitalit Ushtarak. Mjeku, Anastas Suli shprehet për gazetën “Albania” se kjo situatë është tepër problematike dhe ai do t’iu kërkojë autoriteteve shëndetësore për zgjidhjen e menjëhershme të këtij problemi. Ai sqaron arsyet se përse personat që kanë probleme me alkoolin nuk mund të qëndrojnë pranë pacientëve që shfaqin probleme mendore.
Arsyet
Psikiatri Suli shprehet se nuk ka qenë asnjëherë dakord me rehabilitimin e ish-urgjencës së psikiatrisë në qendër trajtimi për të alkoolizuarit. Sipas tij, të sëmurët që kanë probleme të shëndetit mendor nuk mund të qëndrojnë pranë dhe të vëzhgojnë të alkoolizuarit. Kjo do të jetë në dëm të pacientëve nga të dyja palët. Por, një çështje tjetër tepër problematike është mënyra e trajtimit që do t’iu bëhet të alkoolizuarve nga stafi mjekësor. Sipas Sulit, stafi mjekësor për të alkoolizuarit përbëhet nga 6 persona, ku dy janë mjekë specialistë dhe pjesa tjetër infermier. Për Sulin, kjo pjesë e stafit nuk mund të mbulojë punën me turne që mund të bëhet në këtë qendër. Për këtë arsye, të alkoolizuarit nuk do të jenë nën mbikëqyrjen e mjekëve gjatë gjithë kohës. Dy godinat janë mjaft pranë njëra-tjetrës dhe shumë pak metra oborr i ndajnë hyrjet e tyre. Nëse pacientët do të dilnin në oborre gjatë kohës së lejuar, atëherë do të kishte mjaft probleme për shërimin e shpejtë të tyre, pasi shumica e problemeve që kanë të dyja palët kanë karakter psikologjik.
Kërkesa
Për zgjidhjen e kësaj situate, Shefi i pavijonit të Psikiatrisë, do të bëjë një kërkesë pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së QSUT-së për largimin e shërbimit për trajtimin e alkoolizuarve. Sipas tij, ky shërbim duhet të funksionojë atje ku është aktualisht, në shërbimin Toksikologjik pranë Spitalit Ushtarak. Ndërkohë që Qendra e Trajtimit të të Alkoolizuarve është gati dhe priten vetëm pacientët e parë. Rikonstruksioni i saj ka përfunduar dhe ambientet janë të pajisura me materialet e domosdoshme. Po kështu, stafi i mjekëve ka përfunduar specializimet përkatëse dhe tashmë pritet vetëm fillimi nga puna. Kjo qendër, është qendra e vetme e trajtimit të alkoolizuarve, pasi në Spitalin Ushtarak ky shërbim është kurues, kur pacienti ka probleme shëndetësore. Qendra e re do të ketë trajtim më të specializuar, duke trajtuar për një kohë të gjatë pacientin nga ana mjekësore dhe psikologjike.
“Dita pa makinë”, ndërpritet qarkullimi në rrugët kryesore
Në kryeqytet do të ndërpritet qarkullimi për disa orë për shkak të promovimit të “Ditës ndërkombëtare pa makina”. Ditën e hënë, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh për të promovuar një ditë pa makina në kryeqytet dhe për t’u bërë të ditur qytetarëve se ecja më këmbë është në të mirë të shëndetit, si dhe një ditë pa tymra dhe gazra që ndotin ajrin. Kështu, në disa qytete të vendit do të ndërpritet qarkullimi i makinave dhe do të zhvillohen disa aktivitete sensibilizuese për ndërgjegjësimin e qytetarëve për pasojat negative që shkakton lëvizja e përditshme me makina. Qëllimi i kësaj dite është të promovohet përdorimi i biçikletave, të ecurit më këmbë, transporti publik me mjete të tjera, duke ndikuar në reduktimin e trafikut. Ndërsa dy janë detyrat kryesore që duhet të kenë parasysh qytetarët, ecja më këmbë dhe jeta aktive, si dhe ulja e ndotjes së ajrit.
Të sëmurët nga Autizmi, qendër mjekësore për trajtimin e tyre
Të vegjlit që preken nga Autizmi Infantil do të trajtohen në vend dhe prindërit do të kenë më shumë mundësi njohjeje të kësaj sëmundjeje. Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë “Domenick Scaglione”, i drejtuar nga Liri Berisha, organizoi konferencën Ndërkombëtare “Autizmi në Shqipëri; informimi dhe përgjegjësia publike”. Mjekët specialistë sqaruan se Autizmi Infantil është një çrregullim që prek fëmijët para moshës tre vjeç. Sipas mjekëve, autizmi infantil është një çrregullim, ku fëmija nuk është në gjendje të krijojë asnjë lidhje emocionale me njerëzit e tjerë dhe ka dëmtime të shprehura të aftësive komunikuese. Liri Berisha u shpreh se për diagnostifikimin e kësaj sëmundjeje në vend është e domosdoshme ngritja e një qendre kombëtare mjekësore të zhvillimit, e cila tashmë ka nisur të presë pacientët e parë. Në vend nuk ka ende statistika që tregojnë numrin e fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje, por numri i tyre vjen gjithmonë duke u rritur. Ndërsa në botë 1 në çdo 150 fëmijë është i prekur nga autizmi. Drejtuesja e Fondacionit u shpreh se detyra kryesore për t’u kujdesur për këta fëmijë janë mjekët, psikologët, terapistët që duhet të bëjnë përpjekje qytetare dhe mjekësore. Duke qenë se kjo sëmundje nuk njihet shumë në vendin tonë, specialistët e shëndetësisë do të merren me sensibilizimin e prindërve. Prindërit janë ata që duhet të ndjekin rregullisht eurinë e zhvillimit të fëmijës dhe të dallojnë rastet kur fëmija e tyre ka probleme. Kështu, të gjitha nënave do t’iu jepen broshura, ku flitet se si duhet të dallojnë sëmundjen.
22 Shtator 2008