E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva në ditën e 13-të Rama: Nuk dorëzohemi PD: Kërkoni pushtet me dhunë

TIRANE- Greva e urisë e opoztës për transparencën e zgjedhjeve e nisur që në mbrëmjen e 30 prillit, ka hyrë sot në ditën e 13-të të saj. Gjëndja shëndetësore e grevistëve sa vjen e rëndohet ndërsa thonë se janë të vendosur ti shkojnë në fund kësaj beteje deri në hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjatë orëve të natës, një tjetër grevist është dërguar me urgjencë në spital për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore.

ORA: 21:34- TJETëR GREVIST DëRGOHET Në SPITAL Në PAK MINUTA
Pak minuta pas dërgimit në spital të grevistit të 31-të, një tjetër mbështetës i opozitës në grevën e urisë është dërguar menjëherë për mjekim të specializuar pas komplikacioneve të ardhura në ditën e 13-të të mungesës së ushqimit. Mësohet se grevisti quhet Brahim Ceka, 62 vjec nga Malësia e Madhe.

ORA 21:30- MINISTRIA E BRENDSHME: STRUKTURAT E PS PO SHKELIN LIGJIN
Pas deklaratave të kreut të PS, Edi Rama në protestën e sotme se policia ka ushtruar dhunë mbi protestuesit, vjen edhe reagimi i Ministrisë së Brendshme.
Sipas një deklarate të saj, “strukturat e PS kanë shkelur ligjin me bllokimin e qarkullimit gjatë protestave të tyre”. Ministria e Brendshme sqaron gjithashtu se edhe “manifestimet janë të paligjshme.”

Në deklaratë theksohet se janë indentifikuar personat që kanë kundërshtuar me dhunë policinë gjatë protestave të PS, ndërsa shtohet se ata janë “persona me precedentë të tjerë penalë.”

ORA 21:00- DëRGOHET Në SPITAL GREVISTI I 31-Të
Në ditën e 13-të të grevës së urisë, një tjetër grevist e ka braktisur atë rreth orës 21:00 të mbrëmjes. Bëhet fjalë për Ymer Muratin, një 45-vjecar nga qyteti i Tiranës. Me largimin e tij, numri i grevistëve që largohen nga tenda shkon në 31 vetë. Simptomat e tij ishin pothuajse të njëjta edhe me ato të grevistëve të tjerë, këputje, dhimbje të forta stomaku dhe luhatje tensioni.
Gjendja e rëndë e grevistit ishte bërë me dije edhe më herët gjatë një prononcimi të mjekëve asistentë në grevë. Ata deklaruan se disa persona janë më rëndë se të tjerët. 45-vjecari bënte pjesë në këtë grup.

ORA: 20:08- RAMA: REZISTENCë PëR Të HAPUR NJë RRUGë Të RE
Gjatë fjalimit të tij në protestën e radhës të opozitës, sikurse cdo pasdite tjetër, përpara selisë së kryeministrisë, kryetari socialist Edi Rama ftoi të gjithë shqiptarët ti bashkohen protestës së nesërme në mbështetje të grevistëve që janë ngujuar prej 2 javësh në cadrat e ngritura në bulevard.

“Ejani nesër në orën 6, në solidaritet me ata që prej 2 javësh jo vetëm janë këtu ditë e natë, por janë të pangrënë për të dëshmuar stërmundimin e të vërtetës me gënjeshtrën. Turp për ata që kanë guxuar dhe guxojnë të hedhin fjalë mbi këta njerëz që dëshmojnë se në Shqipëri është e mundur një betejë për liri, për liri pa të cilat qeveria në këtë vend do të mbetet një sundim për ta mbajtur popullin të gjunjëzuar me bukën e qeverisë” u shpreh Rama ndërsa theksoi se ka ardhur koha për të hapur rrugë të reja për Shqipërinë.

Lideri i opozitës ritheksoi vendosmërinë e popullit opozitar për të vazhduar rezistencën deri në plotësimin e kërkesave të tyre për transprencën e zgjedhjeve.
“Askujt të mos i shkojë mendja se ne mund të lodhemi, te zbrapsemi, të dorëzohemi. Nuk duam pushtetin në tavolinë por në tavolinë të bëhet transparenca. Ky është qëllimi ynë dhe për këtë luftojmë” tha Rama.

Kryesocialisti i bëri sërish thirrje krerëve të policisë të mos keqpërdorin uniformën dhe të respektojnë protestat paqësore të opozitës.
“Në gjithë Shqipërinë u bënë protesta paqësore, jo për të bllokuar lëvizjen e qytetarëve por për të vënë në lëvizje demokracinë e bllokuar. Aty ku policia respektoi protestën dhe protestuesit gjithcka shkoi normalisht, ndërsa atje ku policët u sollën keq, gjërat shkuan keq” tha Rama.

Duke ju referuar përleshjeve mes policisë dhe protestuesve në Korcë, Rama dënoi mosreagimin e Ministrit të Brendshëm, Lulezim Basha për dhunën ndaj deputetit Pandeli Majko.

Rama akuzoi qeverinë për rrënimin e ekonomisë dhe për boshatisjen e arkës së shtetit, të cilën sic tha ai, po përpiqet ta mbushë sadopak me shitjen e Hotel Dajtit.
“Ky pushtet ka grabitur votat për të vazhduar të grabisë Shqipërinë, dhe po rrënon ekonominë. Sot e morëm vesh të gjithë që për të hedhur ca para në arkën e zbrazur të shtetit, qeveria i shiti Hotel Dajtin Bankës së Shqipërisë, ose më mirë Banka u detyrua të blerë Hotel Dajtin” vazhdoi më tej kreu i PS.

ORA: 18:40- OPOZITA NIS PROTESTëN, DOKLE: JEMI Në RADHë PëR Të HYRë Në GREVë
Sikurse cdo pasdite që prej 30 prillit, opozita ka nisur protestën e radhës në Bulevardin përpara selisë së kryeministrisë përballë cadrës ku zhvillohet greva e urisë e deputetëve dhe mbështetësve të tyre.
Deputeti Namik Dokle nisi fjalimet këtë pasdite duke nënvizuar se opozita nuk tërhiqet deri në përmbushjen e plotë të kërkesave të saj.
“I themi Berishës të mos e gënjejë mendja se do të tërhiqemi nga kjo luftë demokratike, nga kjo e drejtë e jona. Nuk tërhiqemi sepse kemi të drejtë, sepse beteja jonë është për të gjithë Shqipërinë. Nuk tërhiqemi, jemi të gjithë në radhë, deputetë, anëtarë të PS, simpatizantë e qytetarë të thjeshtë që kërkojnë ti bashkohen grevistëve tanë ” u shpreh Dokle.
Deputeti socialist nënvizoi se protestat do të vazhdojnë të jenë paqësore. “Ne nuk përdorim dhunë por kemi qëndresën, arma jonë e fuqishme është paqja, qetësia dhe rezistenca e shokëve dhe shoqeve tona” tha Dokle.

Në ditën e 13-të të grevës, deputetja Vasilika Hysi ka ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë ta mposhtin frikën e pushtetit sipas saj dhe të dalin të gjithë në protestë më 14 Mjaj. “Ti bëjmë thirrje gjithë qytetarëve, se nesër në orën 6 proteston e gjithë Shqipëria” – tha Hysi.
Sipas saj, protesta bëhet për mirëqënie, për integrim dhe si mëbshtetje për grevistët.“Ky pushtet nuk e kupton se ne jemi në këtë protestë, për mirëqënie, për integrim për të mirën e gjithë shqiptarëve, prandaj në mbështetje të grevistëve të bashkohemi të gjithë për të treguar forcën e karakterit”, deklaroi Hysi.

Ndërkaq kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule ju kundërpërgjigj peticioneve të artistëve dhe intelektualëve të cilët kanë akuzuar opozitën për pengimin e rrugës europiane të vendit përmes grevës së urisë.
“Na thonë se ne, kolegët tanë të nderuar që janë në grevën e urisë, na akuzojnë se mbyllim rrugën në intregimin drejt Europës. Ku ishin këta akademikë, krijues që nuk e ngritën zërin kur nuk na u dha e drejta për të lëvizur pa viza” u shpreh Dule.
Aleati i socialistëve nënvizoi arsyet e grevës së opozitës duke theksuar se aksioni politik nuk synon ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve por transprencën e plotë të votës së cdo shqiptari.

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi e vuri theksin në fjlaën e sotme tek protesta e nesërme, duke thënë se, “Protesta jonë është shtrirë në të gjthë Shqipërinë, e gjithë Shqipëria do jetë nesër këtu për të shpallur fitoren e kauzës sonë.”
Sipas Gjinushit, “Nesër festojmë festën e fitores kundër Berishës. është koha të kuptojë njëherë e mirë që s´mund të luajë më me durimin e tuja, duhet ta pranonte që në 2006 falimentin e tij.” Gjinushi ndër të tjera deklaroi se “I bëjmë thirrje presidentit të mbrojë Kushtetutën e vendit.”

Kryetari i PLD-së, Spartak Ngjela nënvizoi gjatë fjalës së tij se 14 maji është dita për ti dhënë orët e fundit qeverisë në pushtet.
“1 milionë njerëz e kanë të qartë se nuk mund të durojnë më një tiran që u ka dhunuar zgjedhjet dhe i ka varfëruar në ekstrem. Data 14 maj do jetë dita që do shporrim tiranin me fitore. Kjo është një betejë e cila në rast se nuk fitohet nga ne nuk ka më të ardhme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Data 14 maj do të jetë shenja kryesore për ti thënë të gjithëve se shqiptarët do hyjnë në Europë me dinjitet” u shpreh Ngjela.

“Nësër bëhet dy javë grevë e vërtetë urie. Nesër bëhen dy javë nga faza e nisjes së protestave të reja për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve”, kështu e ka nisur fjalën e tij deputeti i PS Erion Brace, ndërsa ka shtuar se PS do ti shkojë deri në fund kauzës së saj.
Duke akuzuar kryeministrin se nuk do zgjidhjen e krizës, Brace deklaroi se vendi është i zhytur në korrupsion. “Sali Berisha nuk do zgjidhje, ja kanë ndaluar të gjejë zgjidhje. Fuqia e tij është korrupsioni, i cili nuk lejon zgjidhjen e krizës në vend. Janë abuzuesit e përditshëm me paratë tuaja. Janë klientët e partisë në pushtet që kanë fituar gjithcka”, - tha Brace.
Në serinë e akuzave të tij, Brace theksoi se arka e shtetit është bosh dhe se po merren borxhe të reja për të rritur me 4 qindarka rrogat.
“Saliu nuk bën punën e shtetit si kryeministër por zagarin e bllokut. Arka e shtetit është bosh. Qeveria po merr borxhe të reja për të shtuar rrogat dhe pensionet, vetëm me 4 qindarka”, tha deputeti Brace.

Protesta ka vijuar më tej më me fjalime të grevistëve nga ambientet e cadrave të cilët shprehen të bindur për të rezistuar në shërbim të kauzës për transparencë. Grevsitët kanë përshëndetur qytetarët që janë mbledhur cdo ditë në mbështetje të sakrificës së tyre.

Deputeti grevist i Lushnjes Fatos Tushe pasi ka falenderuar mbështetësit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deklaroi se, “Ndodhemi këtu për të ardhmen e fëmijëve tanë, ndodhemi këtu për transparencën e votës së lirë, që do të na bëjë të shkojmë drejt Europës”.

Ndërsa deputeti i Durrësit Gazmir Bizhga u shpreh se, “Kjo është gërmadha e fundit e komunizmit që na ka mbetur në Shqipëri, dhe duhet shembur njëherë e më parë. Për dashurinë e atdheut, të fëmijëve tanë, të demokracisë duhet ta shembim këtë gërmadhë që ka zënë diellin.” Sipas Bizhgës, aid he deputetët e tjerë do qendrojnë në grevë, “ deri në garantimin e transparencës, prandaj ftoj popullin që ti mbështesë nesër deri në orën 6”.

ORA 15:30 – VOCAJ-RAMëS: ZHBLLOKO BULEVARDIN
Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj i ka dërguar sot një letër kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama në të cilën kërkon “zhbllokimin menjëherë” të bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të lejuar qarkullimin e automjeteve në këtë aks. Kjo është letra e dytë që kreu i policisë së Tiranës Tonin Vocaj i dërgon liderit të opozitës në lidhje me këtë cështje.

“Në vijim të komunikimeve të mëparshme, ju rikujtojmë se ligji “Për tubimet” nuk lejon zhvillimin e tubimeve disa ditore. Në zbatim të nenin 5 të këtij ligji ju kemi kërkuar që të dërgoni pranë Policisë Tiranë, çdo ditë, njoftim më vete për secilin tubim që zhvillohet”, theksohet në letër. “Mosdërgimi nga ana juaj e këtij njoftimi përbën vepër penale. Po kështu dëshirojmë t`ju sqarojmë se megjithë përpjekjet tona për menaxhimin e trafikut, bllokimi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit”ka cënuar rëndë situatën e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës. Si pasojë e devijimit të trafikut shumë akse rrugore të Tiranës kanë pasur mbingarkesë. Ditët e fundit është vërejtur se tubuesit grumbullohen në pika të ndryshme të qytetit të Tiranës dhe nga aty lëvizin të organizuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Këto veprime janë kryer pa asnjë njoftim paraprak çka ka vënë në vështirësi strukturat tona në menaxhimin e trafikut dhe ruajtjen e qetësisë publike.
Ju përsërisim se vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit përbën vepër penale sipas nenit 293 të Kodit Penal. Sa më sipër, ju rikërkojmë zhbllokimin e menjëhershëm të rrugës dhe krijimin e mundësive për normalizimin e trafikut rrugor në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

ORA: 15:00- RAMA AKUZA POLICISë PëR NDëRHYRJE Në PROTESTAT Në RRETHE
Kreu i PS, Edi Rama ka vizituar sot grevistët e shtruar në spitalin infektiv. Rama reagoi sërish për ndërhyrjen e policisë në protestat në rrethe, ndersa deklaroi se opozita mbetet e vendosur në qëndrimin e saj për ti shkuar deri në fund transparencës së zgjedhjeve.
“Duke shpresuar që kjo betejë për transparencën që hap rrugën e lirisë së zgjedhjeve është një betejë që do të sjellë frutin e dëshiruar për të gjithë dhe njëkohësisht përbuzje ëpr ata drejtues policie që dje e bënë pis uniformën e shenjtë të policisë së shtetit duke ndërhyrë dhe duke krijuar situate krejt të panevojshme në kushtet e një manifestimi simbolik dhe rezistencës paqësore. Dua të nënvizoj sot që ne jemi të vendosur, që e jemi të palëkundur sepse kërkesa jonë nuk ka të bëjë me interesin politik të një pale në dëm të interesit politik të një pale tjetër, por ka lidhje thjesht dhe vetëm me interesin publik.” u shpreh Rama.

ORA 13:10-DEPUTETJA LEDI SHAMKU NDëRPRET GREVëN
Deputetja e Partisë Socialiste Ledi Shamku ka lënë sot grevën e urisë në gjendje të rëndë shëndetësore. Shamku ka lënë grevën në ditën e 13-të te saj ndërsa numri i grevistëve që lënë cadrën shkon në 30-të.

ORA 12:40-PD: RAMA KëRKON PUSHTET ME DHUNë
Deputeti i Partisë Demokratike Gjergji Papa ka reaguar sot ndaj protestave të Partisë Socialiste. Sipas Papës, “Rama kërkon të marrë pushtetin me dhunë dhe se në këtë mënyrë po rrezikon tentativat për dialog për të cilat po apelon cdo ditë Europa”.
Deputeti bëri të ditur për mediat se bllokimi I rrugëve që po bëhen nga simpatizantët e PS është një factor që dëshmon se Rama kërkon pushtetin me dhunë. Sipas deputetit demokrat, Rama duhet të respektojë zgjedhjet që bëhen në 4 vjet pasi asgje nuk zgjidhet me dhunë. “Për cdo të keqe ke përgjegjësi personale”, tha Papa.

ORA 11.20-NJë GREVIST DëRGOHET Në SPITAL Në GJENDJE Të RëNDUAR
Martin Kasaj, 27 vjec nga Tirana është grevisti i 29 që ndërpret grevën e nisur që prej datës 30 Prill. 27 vjecari, aktivist i PS është transportuar me urgjencë në spital në gjendje të rënduar shëndetësore si apsojë e grevës së urisë. Kasas ndodhej në grevë prej 13 ditësh.

ORA 10:40 DEPUTETJA HYSI: PROTESTA E NESERME DO JETE MADHESHTORE
Deputetja socialiste Vasilika Hysi thotë se gjendja shëndetësore e grevistëve është rënduar shumë, dhe paraqesin të gjitha shenjat e përkeqësimit të shëndetit, normale për një greve që vazhdon prej 13 ditësh.
“Kam dëgjuar shumë intelektualë që janë përpjekur për të anashkaluar grevën, por kjo i ka nxitur moralisht edhe më shumë grevistët që ti shkojnë deri në fund kauzës së tyre për transparencën e zgjedhjeve”- tha Hysi në një prononcim për NEWS24 para kaptit të grevistëve të vendosur para godinës së kryeministrisë në Tiranë. Deputetja socialiste reagoi dhe ndaj arrestimeve të protestuesve të PS-së. “Përshkallëzimi i protestës është përballur me një reagim brutal nga policia duke harruar se kjo është një mosbindje civile.” “Cdo protestues në qeli nuk është mënyrë sesi duhet zgjidhur kriza- nënvizoi deputetja në prononcim për NEWS24.
Hysi paralajmëroi se protesta e cila është parashikuar të zhvillohet nesër në orën 18.00 para kryeministrisë do të jetë madhështore pasi “sot po protestohet për një kauzë që i ka kapërcyer kufijtë e PS dhe është përtej të majtës dhe të djathtës, por protestohet për transparencë dhe demokraci “

ORA 07: 20 GREVISTI I 28-TE SHTROHET NE SPITAL
Hasan Sula, 30 vjec nga Tirana ka lënë kampin e grevistëve të vendosur para godinës së kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pas mesntas së të mërkurës dhe është shoqëruar me ambulancë drejt spitalit. Me largimin e tij shkon në 28 numri i grevistëve që janë detyruar të ndërpresin grevën të cilën kur e nisën ishin 202, prej tyre 22 deputetë të Partisë Socialiste dhe 180 qytetarë mbështetës të kauzës së opozitës.
Deputeti socialist Ben Blushi vizitoi grevistët në orët e vona të natës, ndërsa Sajmir Tahiri në një prononcim për NEëS24 ju shpreh se greva e urisë do të vazhdojë deri në momentin e plotësimit të kërkesave.
Deputeti Sajmir Tahiri i bëri apel kryeministrit Berisha të shfaqë vullnetin për të zgjidhur krizën dhe shtoi se maxhorancës duhet të bëjë veprime konkrete dhe jo “deklarata anemike”. Tahiri tha se protestat e opozitës në të gjitha qytetet do të vazhdojnë.

12 MAJ- ORA: 19:33- RAMA: GATI PëR ZGJIDHJE PëRMES TRANSPARENCëS
Gjatë fjalimit të tij në protestën e radhës të opozitës, sikurse cdo pasdite tjetër, përpara selisë së kryeministrisë, kryetari socialist Edi Rama nënvizoi se opozita është e gatshme për zgjidhjen e krizës përmes transparencës së plotë të zgjedhjeve.

“Jemi këtu të dëshmojmë vullnetin tonë të palëkundur, kurajon dhe rezistencën në kërkim të transparencës. Ne duam transparencë në mënyrë që Shqipëria të ndahet njëherë e mirë nga një sistem që e korrupton votën.” u shpreh Rama.

Lideri i opozitës ripërsëriti apelin ndaj drejtuesve të policisë së shtetit për të kryer si duhet misionin tyre në shërbim të qytetarëve.
“Ripërsëris apelin tim për drejtuesit e policisë së shtetit të cilët duhet të jenë në krye të detyrës së tyre për qytetarët dhe jo për tju përgjigjur tekave të këtij pushteti që është në konflikt me këtë popull” theksoi Rama duke ju referuar përplasjeve të sotme mes protestuesve dhe policisë në Tepelenë, Korcë dhe Orikum.

Ndërsa shprehu vendosmërinë e opozitës për vazhdimin e aksionit politik në shërbim të kauzës për transparencë, Rama u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në atë që ai e quajti, betejë për të gjithë shqiptarët.

“Protesta jonë nuk është një protestë që i ndan shqiptarët në të majtë e të djathtë, protesta jonë është për të gjithë shqiptarët, edhe për ata që na votojnë edhe për ata që nuk na votojnë, sepse është për të vënë në themel votën e lirë të gjithsecilit dhe për të garantuar lirinë” vazhdoi më tej kryesocialisti.

ORA 18:30- BERISHA APEL RAMëS: MOS NXIRR QYTETARëT Në RRUGë
Gjatë inagurimit të një rruge në Kamëz, kryeministri Berisha ka bërë komentet e radhës edhe për grevën e PS, që zhvillohet përpara zyrës së tij. Sipas kreut të qeverisë, protestat e lira janë të garantuara dhe se ai vetë e respekton plotësisht këtë protestë, ashtu sic respekton cdo të drejtë kushtetuese. “Bulevardi është i bllokuar prej 13 ditësh, por unë respektoj cdo të drejtë kushtetuese. Qytetarët do kenë të garantuar lirinë, pasi protestat e lira janë të garantuara” , u shpreh Berisha.

Gjatë fjalës së tij, i bëri thirrje kreut të PS-së Edi Rama të mos lëndojë qytetarët duke i nxjerrë ata në rrugë. “Respektoj plotësisht protestën por i bëj apel Ramës të mos lëndojë qytetarët duke i nxjerrë ata rrugëve” , nënvizoi Berisha.

Një apel tjetër i kryeministrit i është drejtuar edhe Ramiz Alisë. Berisha thekson se, “Asnjë në botë nuk na pengon neve, prandaj i bëj apel Ramiz Alisë dhe bllokqenëve të mos u qeshë buza, se jeni gabim”.
(s.g/m.a/e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›