E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva, shkon në 39 numri i të larguarve

Deputeti socialist Arben Malaj shprehet se mbështet grevën për transparencën e zgjedhjeve


Ka shkuar në 39 numri i grevistëve që janë detyruar të lënë grevën e urisë. Pas 15 ditëve ngujimi është shtuar së tepërmi numri i largimeve nga çadrat, pasi mjekët kanë vënë re komplikime të rënda të shëndetit të grevistëve. Vetëm dje janë detyruar të largohen plot 4 persona, midis të cilëve një deputetë dhe tre mbështetës, ndërkohë që siç informojnë mjekët e çadrave edhe një numër i madh grevistësh të tjerë gjenden në një gjendje të rëndë shëndetësore.


Malaj


I pari që është detyruar të ndërpresë sakrificën e vet ka qenë deputeti Arben Malaj. Ai është i detyruar nga mjekët të ndërpresë grevën e urisë dje në orët e para të mëngjesit, ndërsa gjatë ditës së djeshme është munduar të hedh poshtë çdo keqinformim mbi largimin e tij dhe deklarohet hapur se mbështet sakrificën e kolegëve të vet, si dhe betejën për transparencën e zgjedhjeve të shkuara parlamentare.


Në një deklaratë për mediat, Malaj ka sqaruar se largimi i tij nga çadra e grevistëve nuk ka të bëjë aspak me ndryshimin e qëndrimit të tij ndaj kauzës për të cilën ai dhe kolegët e tij u vetëflijuan në grevë urie, por me arsyet shëndetësore, të cilat u rënduan së tepërmi për shkak të mungesës së ushqimit.


"Pas disa konsultave mjekësore dhe pas kërkesës së ekipit mjekësor të grevës, u detyrova të ndërpres grevën dhe t'i nënshtrohem një seti analizash mjekësore. Rregulli bazë për të gjithë kolegët e grevës së urisë është respektimi i këshillave dhe kërkesave të mjekëve.


Kjo është tërësisht e kundërt me abuzimet e disa politikanëve dhe mediave se ndaj grevistëve ka presione për të vazhduar grevën edhe kur kjo nuk këshillohet nga mjekët", - bën të ditur deputeti socialist në deklaratën e vet për mediat. Për këtë arsye, ai ka bërë të qartë se mbështet grevën e urisë, si dhe kërkesën për transparencën e zgjedhjeve.


"Deklaroj në mënyrë të qartë dhe me shumë përgjegjësi qytetare dhe politike se e mbështes grevën e urisë së deputetëve të PS e mbështetësve të saj.


Mbështes kërkesën për transparencë të procesit zgjedhor, kërkesën për zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standardeve më të mira", - thekson më tej Malaj, duke bërë të qartë se qëllimi i grevës së urisë është transparenca për një të drejtë jetike dhe se misioni i saj konstaton në ndërgjegjësimin e të gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë për dështimet e përsëritura të vendit.


Më tej, duke iu referuar këmbënguljes dhe përdorimit të institucioneve të vendit për të përbaltur grevën e urisë dhe protestat paqësore të opozitës, Malaj vëren se këto janë shfaqje të krizës, në të cilën ndodhet mazhoranca e djathtë dhe kryeministri i saj.


"Arroganca, agresiviteti dhe brutaliteti publik e parlamentar, keqpërdorimi politik i artistëve dhe intelektualëve të vendit tim, indiferenca dhe cinizmi deri çnjerëzore që manifestojnë edhe publikisht ndaj grevistëve të urisë deputet e mazhorancës, janë provat reale të përmasave të krizës njerëzore dhe politike, në të cilën ndodhet kjo mazhorancë", - shprehet Malaj në deklaratën e vet, ndërsa rithekson se kjo situatë do të risë kostot dhe efektet negative ekonomike në xhepat e shqiptarëve.


Mbështetësit


Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme çadrën e grevës së urisë janë detyruar ta lënë edhe 3 grevistë të tjerë duke e çuar në plot 39 numrin e grevistëve të larguar.


Pas Malajt, në mbrëmje është transportuar për në spital në gjendje të rëndë shëndetësore 28-vjeçari nga Tirana, Florian Shima, i cili ka shfaqur komplikacione të rënda në stomak dhe luhatje tensioni. Shumë pak minuta pas tij dy grevistë të tjerë janë detyruar të ndërpresin grevën për shkak të rëndimit të gjendjes së tyre shëndetësore. Bëhet fjalë Shefki Mullain, 56 vjeç Merlind Prendi, 29 vjeç.


Dade: Berisha t'i japë zgjidhje krizës brenda të hënës

Nisur nga rëndimi i gjendjes shëndetësore të grevistëve të urisë, deputetja socialiste, Arta Dade, i kërkon kryeministrit Berisha që të lërë mënjanë retorikën, por të pranojë zgjidhjen e ofruar nga ndërkombëtarët dhe t'i japë zgjidhje sa më shpejt krizës politike në vend.


Në një reagim për mediat, Dade, duke komentuar situatën politike, ka pohuar se mazhoranca dhe kryeministri duhet të reflektojë dhe të pranojë propozimet e dhëna nga faktori ndërkombëtarë si rruga më e mirë për t'i kthyer vendit normalitetin dhe për t'i dhënë institucioneve të vendit peshën e duhur në funksionimin e një shteti.


"Tani le të besojmë se nëse atij i ka mbetur sado pak logjikë t'i japë zgjidhje krizës dhe t'i kthehet jetës normale politike dhe parlamentare. Uroj që këto dy ditë të jepet një zgjidhje në të mirë të vendit, në të mirë të kryeministrit dhe të grevistëve", - u shpreh sekretarja socialiste për marrëdhëniet me jashtë, Arta Dade.


Më tej, ajo ka shtuar se kryeministri nuk ka rrugë zgjidhjeje, veçse të zgjidhë këtë ngërç që prej disa muajsh ka bllokuar funksionimin normal të institucioneve, pasi në të kundërt ajo ka paralajmëruar se ai duhet të përballet me popullin. "Ai është i detyruar ose të zgjidhi krizën ose në të kundërt pastaj ai nuk e ka më konfliktin me PS, por e ka me popullin jo vetëm opozitar, por edhe me ata që e kanë votuar", - tha Dade.


Duke e bërë fakt të kryer ekzistencën e një draft-marrëveshje për zgjidhjen e krizës, Dade ka shprehur keqardhje që ky propozim erdhi sërish nga ndërkombëtarët dhe jo nga klasa politike shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›