Paloka: Zhvendosini çadrat në trotuar e vazhdoni shfaqjen, qytetarët mos i pengoni
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaroi se dje shqiptarët panë shfaqjen më të fundit të trupës teatrale ambulante. Në një komunikim për mediat, zyrtari demokrat tha se mesa duket në programin e fundit teatror ka vendosur të luajë filma me heroizma partizane, në disa udhëkryqe të Tiranës dhe kryesisht në Bulevardin e Dëshmorëve të Kombit. “Shokët e Njësitit gueril të spitalit infektiv, na paskan habitur edhe mjekët me gjendjen e tyre perfektë shëndetësore, jo shpirtërore. Do ta kishim vlerësuar këtë shfaqje në të gjithë komponentët e saj nëse nuk do kishte penguar seriozisht qytetarët e Tiranës për të kryer punët e tyre të përditshme”, u shpreh Paloka. Prandaj, tha ai, “si politikan por edhe si qytetar i Tiranës, në mënyrë që të vazhdojë të shikojë shfaqjen e përgatitur me kujdes do donte t’i ofrojë një kompromis çunave të bllokut të cilët që prej 16 ditësh kërkojnë zyrat e babit: Zhvendosini çadrat në trotuar e vazhdoni shfaqjen, qytetarët mos i pengoni dhe ju rrini sa të doni”.