Policia: Pesë efekivë u plagosën të premten
Referohet në Prokurorinë e Tiranës materiali hetimor i incidentit, ndërsa pretendohet se ka pamje filmike për incidentin
Në deklaratën e saj, policia përsërit se protesta ishte e paligjshme, pasi ajo nuk ishte njoftuar
TIRANË- Protesta e Partisë Socialiste e zhvilluar të premten e kësaj jave, policia pretendon se janë plagosur pesë efektivë të focave të Policisë së kryeqytetit, për shkak të një përplasjeje mes tyre dhe protestuesve dhe përkrahësve të grevistëve.
Reagimi i bluve erdhi nëpërmjet një njoftimi zyrtar të drejtorisë së policisë së qarkut, ku sqarohej se policët kanë mbetur të plagosur për shkak se janë goditur me sende të forta të ndryshme nga masa e protestuesve. Sipas reagimit zyrtar të policisë, në përfundim të protestës së organizuar nga opozita, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", mbetën të plagosur pesë punonjës të policisë së rendit.
Të dëmtuarit, për shkak të plagëve të marra në përplasje me protestuesit janë dërguar në spital, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas deklaratës zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, pretendohet se një grup prej rreth 50 protestuesish, goditën me gurë dhe sende të tjera të forta, punonjësit e policisë. Këta të fundit ishin vendosur në disa kordonë përballë kryeministrisë, për të shmangur incidentet gjatë protestës.
Në reagimin e saj për protestën e opozitës e zhvilluar ditën e premte, policia pohoi dje se nga ky incident kanë mbetur të plagosur në gjendje të lehtë, pesë punonjës policie, të cilëve iu është dashur që të marrin edhe ndihmë mjekësore. Ndërkohë në lidhje me këtë ngjarje, burimet zyrtare të Policisë së Tiranës pohuan dje se janë siguruar pamjet filmike të incidentit.
Për këtë fakt kanë nisur hetimet për të identifikuar personat që dyshohet se kanë qëlluar ndaj punonjësve të policisë, që ishin vendosur përballë godinës së qeverisë. Por përveç pretendimit për plagosjen e pesë efektivave, Policia e kryeqytetit, e ka konsideruar edhe të paligjshme protestën e opozitës, zhvilluar më 14 maj, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
"Ky tubim është organizuar nga Partia Socialiste në kundërshtim me Ligjin Nr. 8773, datë 23 prill të vitit 2001, "Për Tubimet", duke mos bërë asnjë njoftim paraprak në Policinë e Tiranës sipas parashikimeve të neneve pesë dhe shtatë të ligjit të mësipërm"- thuhet në reagimin zyrtar të Policisë së Tiranës, për protestën e opozitës. Sipas policisë, edhe pse nuk kishte një njoftim paraprak për protestën u morën të gjitha masat, duke shtuar forcat e policisë në gjithë kryeqytetin.
Godina e Kryeministrisë gjatë protestës së të premtes ishte e rrethuar nga qindra forca policie, të rendit dhe ndërhyrjes së shpejtë, për të shmangur incidentet e mundshme gjatë mitingut. Masat e policisë ishin aq të forta, saqë vetë ministri i Brendshëm Lulzim Basha, bëri inspektime nga tarraca e godinës së kryeministrisë, por pa u vënë re nga protestuesit.
Basha është parë në tarracën e kryeministrisë pak minuta para se të niste protesta e opozitës, duke u takuar me efektivë të Gardës së Republikës. Ndërkohë, punonjësve të policisë nuk iu është dashur të ndërhyjnë në asnjë moment, pasi protesta ishte paqësore dhe në përfundim të saj, protestuesit u larguan te qetë.
Ndërkohë policia e Tiranës sqaroi dje se për incidentin e ndodhur në përfundim të mitingut të dy ditëve më parë, materialet hetimore do t'i kalojnë Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të kundërshtimit të punonjësit të policisë".
Deputetët e PS-së u qëlluan me shkopinj gome
Ky nuk është rasti i parë që policia hedh akuza ndaj protestuesve dhe përfaqësuesve të opozitës pjesëmarrës në protesta., duke pretenduar se pjesëmarrësit kishin goditur në krye të detyrës punonjësit e policisë. Në të kundërt, nga ana e tyre forcat blu kanë ushtruar dhunë dhe kanë goditur protestues të ndryshëm në rrethe të ndryshme të vendit gjatë pjesëmarrjes në protesta.
Në Korçë në mesjavë, u godit me shkopinj gome deputeti i Partisë Socialiste Pendeli Majko, gjatë një proteste të organizuar në këtë qytet nga opozita dhe përkrahësit e shumtë të saj. Majko u godit nga forcat e policisë me shkopinj gome edhe pse me imunitetin e deputetit. Ndaj protestuesve në Berat, që shoqëroheshin nga Deputetët Alfred Dalipi dhe Erion Braçe, policia hodhi sprajt lotues, me qëllim bllokimine organizimit të protestës
5 punonjës policie pretendojnë drejtuesit e uniformave blu se u plagosën gjatë protestës së organizuar nga opozita dhe Partia Socialiste e Shqipërisë gjatë ditës së premte në bulevardin "Dëshmorët e Kombit"