E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendet në Kuvend, aleatët skicojnë formulën

Parapërgatitja për zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të vërë nën tension kampin blu, i cili ka nevojë për një ristrukturim të thellë brenda tij. Komunikimet formale, që kanë kapitulluar politikën e djathtë, do t‘ua lënë vendin negociatave konkrete, ku kryetarët e partive do të jenë ata që do të diskutojnë edhe ndarjen e zonave influente në zgjedhjet që janë larg vetëm tetë muaj. Mbledhja e tryezës së shumicës është kompetencë e drejtpërdrejtë e kreut të forcës më të madhe të mazhorancës. "Këto duhet të bisedohen. Nuk mund të realizohen me komunikime momentale, por nga ana institucionale. Kjo mungon. Kjo varet nga Berisha, sepse ai është kryetari i mazhorancës. Këto gjëra funksionojnë vetëm nëse ai lëviz në këtë drejtim", tha republikani Godo. Ajo që vlen të theksohet është fakti që ende pa kaluar Kodi Zgjedhor, partitë e shumicës janë duke llogaritur se sa deputetë do të kenë në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë.

Lufta për votën do të matet me pulsin e negociatave brenda së djathtës, ku Partia Demokratike duket qartë se është e hapur për çdo eksperiment që do t‘i sjellë asaj një mandat të dytë në zgjedhjet e 8 muajve më vonë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›