E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, Thaçi: “Pas zgjedhjeve, pro koalicionit me BDI-në”



“Në emër të integrimeve dhe realizimit të kërkesave shqiptare, nuk përjashtohet koalicioni me asnjë subjekt politik, përfshirë edhe Lidhjen Social- Demokrate të opozitës”. Kështu është shprehur kreu i PDSH-së në Maqedoni, Menduh Thaçi, duke shprehur bindjen për fitoren në radhët e elektoratit shqiptar në zgjedhjet e së dielës. Pas zgjedhjeve, kreu i PDSH-së ka pohuar se me të parin që do të bisedojë për realizimin e kërkesave shqiptare do të jetë BDI dhe Ali Ahmeti. Arsyeja e këtij imponimi sipas tij është integrimi i Maqedonisë në strukturat europiane. “Integrimi i vendit nuk mund të sakrifikohet për shkak të çështjes së emrit me Greqinë. As që më shkon ndërmend të bëj kompromis, apo ta them direkt, ta shes rrugën e NATO-s të shqiptarëve me diçka tjetër, as me jetën time”,-është shprehur Thaçi. I pyetur nëse do të bënte koalicion edhe me Lidhjen Social-Demokrate, ndaj të cilës shprehet vazhdimisht kritik, ai u shpreh: “Nëse pranohet axhenda që unë kam përpara, duke filluar nga anëtarësimi në NATO, procesi i reformave, data e bisedimeve me BE-në, njohja e pavarësisë së Kosovës, zyrtarizimi i gjuhës shqipe, me të gjithë jam i gatshëm të bisedoj dhe bashkëpunoj”. Ai shprehu bindjen për kalimin e tensioneve të shfaqura gjatë fushatës dhe hodhi poshtë akuzat për sulme ndaj kreut të BDI-së ndonëse pranoi se ka ndikim në situatën në terren si një nga aktorët kryesorë politikë.

Sejdiu: “Mandati i UNMIK-ut duhet të përfundojë”

“Prishtina zyrtare preferon që mandati i UNMIK-ut të përfundojë dhe nga kjo administratë të mbetet vetëm një prezencë simbolike në përputhje me Rezolutën 1244”. Kështu është shprehur presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu pas deklaratave të fundit të shefit të UNMIK-ut se EULEX-i mund të futet nën ombrellën e OKB-së”.
“Natyrisht, dëshirojmë që mandati i UNMIK-ut të përfundojë. Kurse, për aq sa do të jetë simbolike Rezoluta 1244, të jetë ajo pjesë e prezencës së UNMIK-ut”,-tha presidenti Sejdiu. Prishtina duket se nuk mund të ndërhyjë në këtë çështje që po diskutohet në nivele më të larta ndërkombëtare edhe pse preferencat politike të autoriteteve kosovare janë që UNMIK-u të përfundojë mandatin duke i transferuar kështu përgjegjësitë te institucionet vendore dhe te misioni i BE-së, EULEX. Së fundmi, shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker u shpreh se EULEX-i mund të hyjë nën mandatin e Kombeve të Bashkuara.

Nacionalistët serbë, marrëveshje për qeverisjen e Mitrovicës

Nacionalistët në serbi kanë vendosur të udhëheqin pushtetin lokal të Mitrovicës. Përfaqësuesit e Partisë Radikale të Serbisë dhe ata të Partisë Demokratike të Serbisë kanë njoftuar dje se kanë arritur një marrëveshje për krijimin e një koalicioni qeverisës për pushtetin lokal në Mitrovicë. Ende nuk janë sqaruar hollësitë e kësaj marrëveshje përveç faktit se “kryetari i Komunës së Mitrovicës” do të jetë një anëtar i Partisë Radikale të Serbisë.
Lajmi është bërë i ditur nga përfaqësuesi për Kosovën i Partisë Demokratike të Serbisë, Zoran Saviç, i cili është shprehur se në formimin e qeverive komunale do të përshijnë edhe Partinë Socialiste të Serbisë. Marrëveshja është rezultat i zgjedhjeve lokale të 11 majit të cilat u mbajtën edhe në Kosovë. Këto zgjedhje janë konsideruar të pavlefshme nga autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare.

30 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›