E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i KSHC-së, dalin në pah spastrimet politike nga administrata

Zbardhen largimet nga puna të specialistëve dhe nëpunësve. Opozita akuzon qeverinë dhe KSHC-në për shkelje të ligjit

Habjon Hasani
Mimoza Hysenaj, kryetarja e Komisionit të Shërbimit Civil, paraqiti dje në Kuvend raportin e punës së këtij institucioni të pavarur për vitin 2007, të votuar me tre vota pro dhe dy kundër nga anëtarët e KSHC-së. Nga 380 ankimime të shqyrtuara, KSHC i ka konsideruar si të drejta pretendimet e 118 rasteve, duke pranuar ankesën dhe duke u rekomanduar institucioneve përkatëse që t’i fusë në listën e pritjes. Ndërkohë që nga numri total i ankimimeve, 196 prej tyre, pasi kanë kaluar në vlerësimin e KSHC-së, janë paraqitur nga palët e interesuara për gjykim në Gjykatën e Apelit, çka do të thotë se Ekzekutivi nuk ka zbatuar rekomandimin e KSHC-së. Nga të dhënat që paraqet raporti rezulton se në 139 raste gjykata ka lënë në fuqi vendimin e KSHC-së dhe në 16 raste të tjera e ka prishur atë, ndërsa 34 pretendime janë pushuar si çështje. Por, përtej shifrave të kryetares së Komisionit të Shërbimit Civil, kryetarja e Grupit Parlamentar socialist, Valentina Leskaj, ka akuzuar dhe vetë KSHC-në se është bërë pjesë e “maskaradës” politike në shkarkimet dhe emërimet në administratë. “Natyrisht që Komisioni i Shërbimit Civil nuk mund të mbetej jashtë gjithë filozofisë dhe mënyrës së sjelljes së kësaj maxhorance me institucionet e pavarura, sjellje akaparuese siç ka ndodhur edhe me institucionet e tjera, ato të drejtësisë, të medias, të arsimit dhe shkencës, deri te ato të sportit. Ju silleni me institucionet e shtetit si me bahçen tuaj, sipas filozofisë shteti jam unë. E dëgjuat dje kryeministrin? Tha se do t’i çonte regjistrat e Gjendjes Civile në një laptop te mësuesit që të shpërndajnë certifikata”, - tha Leskaj.
Akuzat
Sipas Leskajt, Komisioni i Shërbimit Civil ka dështuar të jetë një institucion në shërbim të ligjit dhe kjo kryesisht jo për faj të komisionit, po për faj të përdoruesve politikë të tij, shumicës qeverisëse. “Do të ishte më mirë që raportuesit të na thonë pse nuk ka konkurrentë për pozicionet e lira në administratën publike? A thua s’ka të papunë në Shqipëri? Gjithkush e di që kjo nuk është e vërtetë. Ka bile dhe shumë të kualifikuar, edhe nga ata që kanë studiuar jashtë, e janë pa punë”, - ka deklaruar Leskaj. Sakaq, numri një i deputetëve socialistë ka shpjeguar mungesën e ankesave për vitin 2007 me faktin se profesionistët kanë humbur besimin dhe nuk kanë arsye të paraqiten në konkurse. “Zonja dhe zotërinj, njerëzit nuk shkojnë të konkurrojnë për pozicione në administratën publike se e dinë që fituesit janë paracaktuar. Kjo është aq e vërtetë, saqë meqë nuk bëhet numri i nevojshëm i kandidatëve për konkurrim, sajohen kandidatë fiktivë nga brenda institucionit. Në vend që të shtroni pyetjen pse s’vijnë njerëzit në konkurse, pse ka humbur besueshmëria te konkurset, thoni ka më pak ankesa. Doemos, kur s’ka konkurrentë, s’ka ankesa”, - ka qartësuar Leskaj.
Komisioni
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mban vendin e parë edhe për pushimet nga puna, për të cilat ka pasur ankimim në KSHC për vitin 2007. Nga 380 ankimime në total, 150 prej tyre vijnë nga individë që janë pushuar nga puna në DPT. Megjithëse numri i ankimimeve të paraqitura ka një zbritje në krahasim me vitin e shkuar, edhe për vitin që lamë pas vihet re se shkarkimet apo pushimet nga detyra, nga institucionet shtetërore qendrore apo lokale, kanë si shkak të tyre ristrukturimin dhe reformat e kryera në administratë. Pavarësisht numrit të pakët të ankimimeve të individëve që kanë konkurruar për të fituar një vend pune (vetëm 10 të tilla për vitin 2007), KSHC në raportin e saj thekson se procesi i pranimit në shërbimin civil është kryer kryesisht në kundërshtim të plotë me ligjin. Nga kontrolli që ky komision ka kryer në Ministrinë e Financave, Bujqësisë, Transporteve, Drejtorinë e Tatimeve dhe në një numër njësish bashkiake në Tiranë, ka vërejtur se të gjitha emërimet e kryera gjatë vitit 2007 janë bërë pa iu nënshtruar konkurrencës së ndershme mes kandidatëve. Kështu, në raport evidentohet se në të gjitha këto emërime, të kryera në institucionet e mësipërme, është zbatuar një skemë e përgjithshme që nuk ka favorizuar konkurrencën.

30 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›