E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevë urie në paraburgimin e Korçës

Të paraburgosurit e Korçës protestojnë kundër dhunës së grupit të gatshëm. Ata pretendojnë se janë keqtrajtuar dhe rrahur. Një grevë urie ka përfshirë të paraburgosurit që ndodhen në qelitë e komisariatit të këtij rrethi dhe shkak janë bërë jo vetëm kushtet e këqija, por këtë herë dhuna që ushtrohet nga ana e uniformave blu. Burime të sigurta të policisë kanë thënë se greva e urisë në paraburgim është ndërmarrë fillimisht nga tre persona dhe më pas është kthyer në një revoltë në grup, kur të gjithë kanë refuzuar ushqimin. Të njëjtat burime kanë thënë se greva ka tri ditë që po zhvillohet nga të arrestuarit në paraburgim. Ankesave të shumta i është shtuar edhe fakti se ka një mbipopullim, kur kapaciteti është për të paktën 90 persona, ndërsa qëndrojnë të izoluar dy herë më shumë se kapaciteti.

Revolta e të izoluarve në qelitë e Korçës i referohet dhunës që ushtron ndaj tyre grupi i gatshëm i policisë së burgut, por pakënaqësitë shkojnë më tej edhe ndaj vetë drejtorit të këtij burgu, Petrit Bazelli, dhe përgjegjësit Ardian Shehu. Me emra konkretë ata kanë bërë të ditur se janë vazhdimisht të dhunuar. Nga ana e tij, drejtori i burgut, Bazelli, i ka hedhur poshtë këto pretendime. Një javë më parë, të paraburgosurit u ankuan sërish, ndërsa vetëm një pjesë e tyre kishin hyrë në grevë urie, por Petrit Bazelli ka deklaruar se nuk ka asnjë grevë, apo revoltë mes të paraburgosurve dhe se është një alarm i rremë, pasi situata është normale. Sipas të paraburgosurve, grupi i gatshëm i ka keqtrajtuar disa herë, madje nga dhuna dhe goditjet në trup kanë pësuar edhe plagë, ndërsa një pjesë e hematomave, sipas tyre, janë të dukshme. Nisur nga kjo, prej disa ditësh atyre u është hequr edhe takimi me të afërmit, pasi, siç deklarojnë të izoluarit, policia nuk i lejon për të mos pasur dëshmitarë të jashtëm të shenjave që kanë në trup nga dhuna. Pavarësisht nga ajo që ndodh në dhomat e izolimit, asnjë nga drejtuesit nuk e sqaron situatën, por në çdo kohë kanë mohuar zhvillimin e protestave, apo faktin se ka pakënaqësi dhe dhunë. Nisur nga ankesat në paraburgim, ditën e diel është bërë një inspektim në dhomat e izolimit. Burime të sigurta të policisë kanë deklaruar se një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, Genci Shtylla, ka parë nga afër situatën në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Korçës, por as ky i fundit nuk ka pranuar të japë të dhëna për grevën e urisë dhe arsyet që kanë ngritur në revolta paraburgosurit, dhe as mënyrën e trajtimit nga ana e policisë. Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë për sektorin e paraburgimit mësohet se ka kontaktuar edhe me personelin dhe me drejtuesit që akuzohen direkt nga të paraburgosurit, si drejtorin ashtu edhe përgjegjësin e burgut. Megjithatë, zyrtarisht nga ana e drejtuesve të Burgut në Korçë pohohet se nuk ka pasur asnjë problem të kësaj natyre me të izoluarit. Nga ana e tyre, të burgosurit kanë kërkuar takime dhe inspektime më të shpeshta dhe ndryshimin e mënyrës së trajtimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›