E Diel, 1 Nëntor 2026

PS braktis Parlamentin për Kodin Zgjedhor

Partia Socialiste nuk do të votojë asnjë projektligj në Kuvend, derisa të sillet në seancë për votim dekreti i Presidentit për Kodin Zgjedhor. Ky ka qenë qëndrimi më i fundit që selia rozë ka bërë dje publike, nëpërmjet kryetares së grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, në sallën e Parlamentit. Ajo, pas përfundimit të diskutimit të lirë, dhe kur pritej të niste procedura për miratimin e disa projektligjeve, ka kërkuar që seanca të ndërpritet për dhjetë minuta. Pas rifillimit të saj, Leskaj bëri të ditur qëndrimin për bojkot të punimeve të Kuvendit dhe në këtë moment, të gjithë deputetët e PS-së, të mbështetur edhe nga PSD-ja, janë larguar nga salla. Kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj, deklaroi para Kuvendit se "grupi i PS nuk merr pjesë në seanca, deri sa të vijë në Kuvend për miratim dekreti i Presidentit. Ajo që Kryeministri po bën sot me Kodin Zgjedhor, është tërësisht e pamoralshme". Leskaj akuzoi mazhorancën dhe konkretisht PD-në, se po bllokon Komisionin për Kodin Zgjedhor me urdhër të Kryeministrit, i cili përpiqet ta mbajë peng për arsye të veta private, për motive për të cilat po godet edhe sistemin e drejtësisë. Duke iu drejtuar PD-së, Leskaj tha se në vend që Komisioni i Reformës Zgjedhore të marrë në shqyrtim Dekretin e Presidentit dhe të propozojë zgjidhjen juridike që tashmë e ka gjetur, PD po bllokon në mënyrë të njëanshme komisionin, duke vonuar procesin jashtë çdo logjike juridike. "Ky është një ligj i hartuar me konsensus, i miratuar me një shumicë të cilësuar si asnjëherë tjetër dhe që qëndron në krye të çdo reforme në vend. Nëse është i interesuar për reforma,Kryeministri të zhbllokojë komisionin, të mos bëjë diversion e dyfytyrësi", u shpreh kryetarja e grupit parlamentar të PS-së. Selia rozë shprehu shqetësimin e saj se në rast se ky kod nuk miratohet brenda muajit dhjetor, zgjedhjet e lira në vend vihen në rrezik. "Rrezikohet seriozisht procesi i listave të zgjedhësve, i cili me dispozitat aktuale të kodit është parashikuar të fillojë 15 ditë pas dekretimit të zgjedhjeve, duke i dhënë 30 ditë kohë hartimit të tyre. Pra, në rastin më të mirë, listat paraprake me këtë skenar do të jenë gati në fund të muajit mars, pra vetëm tre muaj para zgjedhjeve", u shpreh Leskaj. Ajo theksoi se kjo do të ngushtojë kohën e rishikimit të listave nga zgjedhësit, pasi Kodi e kufizon këtë të drejtë deri në 60 ditë para zgjedhjeve, pra, deri më datën 26 mars 2009. Leskaj deklaroi po ashtu se rrezikohet formimi i KQZ sipas kodit të ri. Me skenarin e lartpërmendur, KQZ në rastin më të mirë, do të ngrihet në fund të shkurtit 2009, pra vetëm 4 muaj para zgjedhjeve. Ndërkohë ligji e ngarkon KQZ me një sërë detyrash të pazëvendësueshme dhe që KQZ aktuale nuk mund t‘i kryejë. Leskaj u shpreh se rrezikohet procesi i pajisjes me përparësi të zgjedhësve me karta identiteti, kjo pasi vendimi i qeverisë mund të dalë vetëm pas hyrjes në fuqi të ligjit, si rrjedhim rreth 3-4 muaj përpara zgjedhjeve, duke vështirësuar seriozisht procesin. Për Leskajn, ky qëndrim ka një qëllim të qartë, të spostojë vëmendjen nga skandalet e qeverisë së tij dhe kritikat e shumta brenda dhe jashtë vendit për llojin e regjimit që po instalon.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›