E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevistët, në ditën e tetë të grevës

Studentët e Universitetit Bujqësor janë sot në ditën e tetë të grevës së urisë. Dje edhe pse në gjendje të vështirë shëndetësore, studentët kanë kërkuar të kryejnë një takim me rektorin e Universitetit Bujqësor duke qenë se nuk ka pasur asnjë reagim lidhur me kërkesat e tyre edhe pse kanë kaluar më shumë se një javë nga nisja e grevës së urisë. Sipas studentëve të Bujqësorit, greva e urisë nuk do të ndalet deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Madje, ajo do të përshkallëzohet më tej, pasi të tjerë studentë do të përfshihen në protestë.

Gjendja e studentëve ka qenë e rënduar. Sipas organizatorit të grevës, Entel Agolli, duke nisur nga dita e tretë e grevës e deri dje, studentët kanë pasur probleme shëndetësore, marrje mendsh, dhembje koke dhe dobësi. Një pjesë e mirë e tyre janë shoqëruar për në spitalin infektiv për ndihmë të specializuar.

Janë rreth 200 studentë, të cilët kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve në degën Politikë Agrare dhe Agrobiznes, të cilët kërkojnë të vazhdojnë DND, por nuk u është dhënë mundësia, pasi kriteri i përzgjedhjes, mesatarja dhe kuotat e vendosura nga rektorati kanë përfshirë në ciklin e dytë të studimeve. Gjatë tetë ditëve, studentët nuk kanë marrë asnjë përgjigje, madje asnjë reagim publik nuk ka pasur as nga autoritetet arsimore. Studentët kërkojnë të futen në ciklin e dytë të studimeve dhe të mos diskriminohen për shkak të mesatares. Nga ana tjetër i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit shkarkimin e rektorit të Universitetit Bujqësor. Askush nuk ka shkuar të takojë studentët grevistë. Përjashtim bëjnë vetëm përfaqësuesja e Partisë Socialiste, Enkeleda Shkreli, dhe avokati i zyrës së konsumatorit, Altin Goxhaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›