E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i zakonshëm, preken 11 mijë persona

Virozat e gripit të zakonshëm janë përhapur, madje dyfishuar gjatë kësaj periudhe. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se ulja e temperaturës ka stimuluar rritjen e të prekurve nga virozat e stinës. Në vendin tonë aktualisht qarkullon gripi i derrave AH1N1, gripi i zakonshëm, ndërkohë që nuk ka të dhëna nëse ka qarkullim të mundshëm të kombinacioneve të dy viruseve. Plot 11 mijë persona në gjithë vendin janë prekur nga gripi vetëm gjatë javës së shkuar. Specialistët thonë se jemi në një fazë kritike, pasi qarkullimi i virusit AH1N1 dhe i gripit sezonal ka shtuar numrin e personave të prekur nga infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes. Shumica e të prekurve nga AH1N1, por edhe nga gripi i zakonshëm kanë probleme kryesisht me infeksionet në rrugët e frymëmarrjes. Shenjat që paraqesin dy viruset janë të ngjashme dhe klasifikimi mund të bëhet vetëm në laborator. Specialistët këshillojnë që mjekët të marrin të gjitha masat për ruajtjen e shëndetit të tyre dhe të përdorin tamiflu në të gjitha rastet e kërkuara. "Kemi një vaksinë në treg që duhet të shfrytëzohet. Mjekët duhet të marrin masa që fillimisht të mbrojnë veten e tyre", u shpreh Dritan Ulqinaku, specialist në Departamentin e Sëmundjeve Infektive në ISHP. Virusi i gripit të derrit ka prekur kryesisht moshat aktive, ndërsa gripi sezonal prek moshat pediatrike dhe të moshuara. Ulja e temperaturave ka sjellë një rritje të numrit të të sëmurëve dhe specialistët e kanë të vështirë të bëjnë një klasifikim të shpejtë mes të prekurve nga virusi AH1N1 dhe gripit sezonal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›