E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Gjirokastrës, dënohen katër

Mbyllet në Gjirokastër procesi gjyqësor në ngarkim të shtatë të akuzuarve si shkaktarë të tragjedisë së 9 nëntorit 2009, kur pas rrëzimit të një pallati pesëkatësh, tre persona humbën jetën dhe 14 familje mbetën pa strehë.

Katër nga shtatë të pandehurit janë shpallur fajtorë, ndërkohë që tre të tjerë janë shkarkuar nga çdo akuzë. Kështu, për të akuzuarin kryesor, Sotiraq Janorën, administratorin e firmës "Arti" sh.p.k., u vendos dënimi me 6 vjet burg. Gjykata dënoi me 2,6 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë Afërdita Papamihalin, ish-sekretare të KRRT-së së Bashkisë Gjirokastër, me dy vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë Admir Shehajn, ish-inspektor në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashki, sikundër u vendos edhe për Gjergji Meçin, inxhinierin e firmës që shkaktoi shembjen e pallatit pesëkatësh.

Togat e zeza kanë dhënë në total 12.6 vjet burg, si dhe gjoba në vlerën e përgjithshme 1.5 milionë lekë. Ndërkohë, Alfred Mamani, ish-përgjegjës i Zyrës së Urbanistikës, si dhe dy ish-punonjës të policisë bashkiake, Petrit Maksuti dhe Leonard Mustafaraj, janë shpallur të pafajshëm. Kështu, në seancën që u zhvillua vetëm një ditë pas përvjetorit të parë të shembjes së pallatit pesëkatësh në lagjen "11 janari", janë shpallur fajtorë vetëm katër nga të pandehurit, ndryshe nga pretenca e dhënë nga Prokuroria e Gjirokastrës disa javë më parë, që i kërkoi trupit gjykues plot 38 vjet burg dhe 2.4 milionë lekë gjobë për shtatë të pandehurit në këtë proces gjyqësor.

Prokuroria kërkoi shpalljen fajtorë për të gjithë të pandehurit, prej të cilëve vetëm njëri ndiqet në gjendje arresti, ndërsa gjashtë të tjerët ndiqen në gjendje të lirë. Për presidentin e firmës së ndërtimit "Arti" sh.p.k., Sotiraq Janora, i cili u mbajt i izoluar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Bënçë të Tepelenës, prokuroria kishte kërkuar 21 vjet burg, duke e klasifikuar edhe si të akuzuarin kryesor të kësaj çështjeje të çelur nga Prokuroria e Rrethit të Gjirokastrës qysh në datën 9 nëntor 2008, ditë kur ndodhi tragjedia e shembjes së pallatit në fjalë. Gjatë seancës së djeshme, trupi gjykues ka vendosur për katër të pandehurit e shpallur fajtorë edhe heqjen e së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë trevjeçare.

Mbi të akuzuarit e këtij procesi gjyqësor rëndojnë akuzat e "vrasjes nga pakujdesia", "shkatërrimit të pronës", si dhe "shpërdorimit të detyrës". Ndërkaq, të pranishëm në këtë seancë përfundimtare ishin edhe disa nga banorët që pas tragjedisë humbën të afërmit e tyre, apo mbetën të pastrehë dhe që në forma nga më të ndryshmet kanë kërkuar dënimin e shkaktarëve të tragjedisë dhe dëmshpërblim për humbjet materiale.

En.Se.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›