Meta: Berisha, gati të takohet me Ramën
Mazhoranca ka bërë dje propozimet e para konkrete për dialog me opozitën. Numri dy i qeverisë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi se hapësirat e dialogut nuk janë shteruar dhe se në këtë drejtim qeveria është e gatshme të ofrojë nivelin më të lartë politik të përfaqësimit. “Unë mbështes vetëm dialogun dhe çdo takim është i dobishëm, pasi palët duhet të heqin barrikadat, sepse zgjidhja do të sillte normalitetin demokratik dhe politik. Jam i bindur që Kryeministri Berisha është i gatshëm për t’u takuar me kreun e opozitës, Edi Rama, dhe jam i bindur që vullneti i mazhorancës është që të ecim përpara drejt një zgjidhjeje demokratike”, u shpreh Meta. Prononcimi i tij hap një dritare të re komunikimi mes palëve që prej muajsh është mbërthyer në retorikën e presionit reciprok. Nga ana tjetër, zëdhënia e gatishmërisë së Kryeministrit Berisha për t’u takuar me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, është në fakt një akt ndërmjetësimi që po kryhet nga kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Edhe pse ka refuzuar të pranojë këtë rol publikisht është e qartë se protagonizmi i Metës në kuadër të krizës natyrshëm e profilizojnë atë si ndërmjetës. Gjithsesi, ftesa indirekte e qeverisë kërkon tanimë një përgjigje nga selia rozë që ka përgjegjësinë e zgjidhjes së një dileme që vijon prej muajsh. E paqartë mbetet sesi ajo do të moderojë kërkesat e veta në mënyrë që të vijë në një pikë të pranueshme edhe për qeverinë, që përndryshe po i vlerëson qëndrimet e deritanishme si kushte që sfidojnë ligjin. Sipas Metës, hapësirat e dialogut nuk janë konsumuar ende dhe bartin në vetvete mundësinë e zgjidhjes në rrugë institucionale të krizës politike aktuale. “Mbi të gjitha mendoj se ata kolegë që janë atje dhe përkrahësit e tyre, nuk kanë përse të sakrifikohen ose të vuajnë, kur jam i bindur se nuk është ezauruar aspak dialogu. Përkundrazi, jam i bindur se vetëm përmes dialogut dhe përmes hapësirave që ekzistojnë, kjo çështje mund të zgjidhet në mënyrë shumë civile, demokratike dhe europiane”, ka vlerësuar Meta. Ai nuk ka bërë të qartë se cilat janë këto hapësira që të mund të përfshijnë edhe kërkesën për hapje të kutive të votimit, e cila deri më tani është klasifikuar si një pretendim që bie ndesh me vendimin e gjykatave.
#