Iu ça shtëpia gjatë tërmetit, kërkojnë ndihmë
SHKODËR - Banesa e familjes Vukaj në lagjen "Guerile" në qytetin e Shkodrës, ka pësuar disa dëmtime nga tërmeti i muajit gusht të këtij viti, por ankesat e tyre për t'u ndihmuar nga shteti kanë rënë në vesh të shurdhër.
Albert Vukaj, së bashku me familjen e tij prej 4 personash jeton në një shtëpi përdhese me dy dhoma, aneks, kuzhinë e banjë. Invalid, ai shprehet se nuk ka asnjë mundësi ekonomike të bëjë riparimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i rënë në muajin gusht.
Njëra prej dhomave është bërë e papërdorshme, pasi soleta është çarë dhe lagështia e uji i reshjeve hyjnë brenda. Muret kanë pësuar çarje dhe në pjesën e korridorit dhe në verandë, saqë për të mbajtur trarin e soletës së tarracës, familja ka vendosur një shufër hekuri.
Sipas Albert Vukajt, ai është ankuar në rajonin përkatës dhe i kanë thënë se do vijnë një grup verifikimi, si dhe një inxhinier që do të bëjë vlerësimin e dëmit, por deri tani, edhe pse kanë kaluar disa muaj, askush nuk është dukur.
"Jetojmë vetëm me pagesën time të invalidit dhe nuk kam mundësi për të bërë riparimin e banesës së dëmtuar nga tërmeti, edhe pse ajo nuk kërkon ndonjë kosto të lartë", shprehet kryefamiljari.
Ndërsa bashkëshortja e tij, Violeta Vukaj, shton se nga ky dëmtim nuk mund të përdorin as energjinë elektrike pasi, po të ndezin dritat, banesa rrezikon të marrë flakë. "Kemi tentuar ta bëjmë, por për pak sa nuk mori zjarr e gjithë shtëpia pasi tek matësi elektrik është çarë muri dhe ka lagështirë.
Elektricisti që e ka pare, na ka thënë të mos e përdorim energjinë elektrike pasi rrezikon të bjerë zjarri në banesë. Ndezim vetëm një dritë në aneks, ndërsa pjesa tjetër e shtëpisë nuk mund ta përdorë energjinë elektrike", - thotë Violeta.
Kjo familje i bën apel shtetit ta ndihmojë në zgjidhjen e kësaj situate. "Kemi dëgjuar se në zonat ku ra tërmet shteti i ka ndihmuar banorët të ndërtojnë shtëpi të tëra, ndërsa këtu dëmtimet nuk janë të mëdha e nuk kërkojnë shumë para, por nuk na ndihmon askush.
Jemi në një situate pa zgjidhje, se nuk vazhdohet të jetohet në këto kushte, sidomos tani në dimër ku ka dhe reshje të shumta",- thonë pjesëtarët e familjes Vuçaj duke vijuar të shpresojnë në dashmarësinë e shtetit të tyre.