E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grinden në bilardo, plagos djalin e xhaxhait

Një grindje e ndodhur për motive të dobëta ka përfunduar me një të plagosur në një fshat të rrethit të Beratit, ndërkohë që autori, djali i xhaxhait të viktimës, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe nuk është ndaluar ende nga policia. Ngjarja ka ndodhur gjatë mbrëmjes së të martës, në një bilardo të fshatit Lapardha, pak kilometra larg qytetit të Beratit. Dy djem xhaxhallarësh mësohet se janë grindur me njëri-tjetrin gjatë kohës që kanë qenë duke luajtur, grindje e cila ka përfunduar deri në përdorimin e mjeteve të forta të rastit. Burime të komisariatit të policisë së këtij qyteti bëjnë me dije se rreth orës 23.00, spitali rajonal ka njoftuar për mbërritjen e një të plagosuri. Sipas burimeve pranë repartit të kirurgjisë, 22-vjeçari Taulant Kostreni është paraqitur me fraktura të rënda, por tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e bluzave të bardha. Ekspertët e policisë, menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, mbërritën në fshatin Lapardha për të kryer hetimet e rastit rreth ngjarjes. Nga hetimet e para është mësuar se grindja ka ndodhur pas një sherri banal mes 22-vjeçarit Taulant dhe Meti Kostreni, 20 vjeç. Dy kushërinjtë mësohet se kanë qenë duke luajtur dhe papritur janë grindur, grindje e cila ka përfunduar deri në përdorimin e mjeteve të rastit. Ndërkohë, mësohet se 20-vjeçari pas grindjes është larguar nga vendi i ngjarjes dhe tashmë është vënë në kërkim nga policia.

Mi.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›