E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luante me pistoletë, plagoset me plumb në kokë

Luan me armë, vetëplagoset rëndë një 18-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në një vendparkim në lagjen "Partizani" të qytetit të Elbasanit. Burime zyrtare të Policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se dje, rreth orës 10.30 të paradites është vetëplagosur me armë zjarri në kokë, në vendrojën e një parkimi automjetesh 18-vjeçari Arlis Ullorja, lindur e banues në këtë lagje, pronë e 40- vjeçarit E. Kaloti. Në vendngjarje mësohet të jetë dërguar grupi hetimor, ku nga veprimet e para është konstatuar se në momentin e vetëplagosjes, Ullorja ka qenë me dy shokët e tij, J. Kaloti, 19 vjeç dhe 18 vjeçari D. Beqiri, që të dy lindur e banues po në lagjen "Partizani" Elbasan. Sipas të njëjtave burime, konfirmohet se të rinjtë kanë qenë duke luajtur me një pistoletë TT, kur Ullorja ka shkrehur armën duke u vetëplagosur në kokë. Ai është dërguar me urgjencë fillimisht në spitalin kirurgjikal të qytetit të Elbasanit dhe më pas është dërguar për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Sipas burimeve policore, ndaj 18-vjeçarit të vetëplagosur ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale "shkaktim i vetëvrasjes, e mbetur në tentative" dhe "mbajtje e armëve luftarake dhe të municionit pa lejen e organeve kompetente", ndërsa për dy shokët e tij, Kaloti dhe Beqiri, ka nisur procedimi penal për veprën penale "moskallëzim i krimit". Nuk bëhet e ditur se si arma ka rënë në duart e të rinjve. Ndërkohë që materialet për ngjarjen në fjalë iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme.

Be.Dy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›