E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet me thyerje dyqani i floririt

Vidhet me thyerje një dyqan floriri, duke shkaktuar një dëm prej 4 milionë lekësh. Të gjitha bizhuteritë e floririt të paketuara në mjediset e dyqanit janë zbrazur gjatë natës, gjë që sipas policisë tregon se autorët kanë qëndruar në vendngjarje për një kohë të gjatë. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit, gjatë natës, por është konstatuar në orët e mëngjesit, kur pronarët kanë shkuar si zakonisht për të nisur aktivitetin e përditshëm tregtar. Policia lokale është sinjalizuar rreth orës 08.30 të ditës së djeshme, ndërkohë që vjedhja është kryer gjatë natës dhe autorët kanë shfrytëzuar pjesën e pasme dhe errësirën. Persona ende të paidentifikuar nga policia kanë hyrë nga pjesa e pasme e dyqanit me thyerje dhe pasi kanë dëmtuar dritaret kanë depërtuar në një lokal ngjitur me dyqanin e floririt. Më pas, nga tualeti i lokalit autorët kanë çarë murin ndarës për të depërtuar në ambientet e brendshme të dyqanit të vënë në shënjestër. Sipas policisë, që ka shkuar në vendngjarje, në objekt janë vjedhur bizhuteri floriri, ora, unaza, varëse etj., dhe janë boshatisur kutitë ku ato ishin vendosur. Vlera e dëmit të kësaj vjedhje me thyerje të ndodhur në lagjen 12 të qytetit është përllogaritur në 4 milionë lekë, ndërkohë që ende nuk dihen autorët e kësaj ngjarje. Policia dyshon se autorët kanë studiuar më parë terrenin dhe mund të jenë banorë të zonës.

Ju.Dh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›