Kalonte miell dhe birra pa doganë, pranga një 29-vjeçari
Një 29-vjeçar nga Komuna Tërthore e rrethit Kukës është ndaluar mbrëmjen e së shtunës nga policia lokale për akuzën e kontrabandës së mallrave. Burime të policisë tregojnë se 29- vjeçari nga fshati Përbreg është kapur duke transportuar disa thasë me miell, si dhe disa arka me pije freskuese dhe birrë nga Kosova për në Shqipëri, pa paguar më parë tarifën doganore. Sektori i krimit ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë së Kukësit ka ngritur prej disa kohësh një postbllok në afërsi të Doganës së Morinit për të verifikuar pikërisht respektimin e ligjit për likuidimin e tarifës së doganës për çdo mall që importohet nga Kosova. Ndërkohë, 29-vjeçari ka pretenduar se ngarkesa me mallra ushqimore ishte për konsum familjar, por nga llogaritja që kanë bërë ekspertët e krimit ekonomik ka rezultuar se shuma e çmimit të miellit dhe birrave e tejkalonte kuotën e lejuar për kalimin e mallrave pa paguar detyrim doganorë.
#