Xhelozia, zihen me grushte dy të rinj
Një festë mes të rinjve në fshatin Liqenas, Rrethi i Korçës, ka përfunduar me sherr dhe grushte mes nxënësve. Burimet e policisë lokale kanë bërë të ditur se shkak i sherrit ka qenë xhelozia mes dy të rinjsh "rivalë" me njëri-tjetrin. Të njëjtat burime pohojnë se dy të rinj, mes të cilëve njëri nxënës i shkollës së mesme dhe të dy banorë të fshatit Diellas, janë konfrontuar fizikisht edhe pse ishin mbledhur për një mbrëmje me shkollën. Mësohet se autori i ngjarjes ka qenë 25-vjeçari Berti Zhivko, i cili ka hyrë si i ftuar në festën e gjimnazit. Gjatë një mbrëmjeje rinore që po zhvillohej ditën e martë, ai ka goditur nga xhelozia një nga nxënësit e vitit të katër, pasi ky i fundit po kërcente me një vajzë, ndërkohë që 25-vjeçari ka pretenduar se po i ngacmonte të dashurën e tij. Policia ka thënë se ai ka qëlluar me grushte dhe sende rrethanore gjimnazistin, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Ndërkohë mësohet se ndaj 25-vjeçarit Berti Zhivko ka nisur procedimi penal për "plagosje të lehtë me dashje".
Ju.Dh.
Ju.Dh.