E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malësi e Madhe, vija e ujit i merr jetën 62-vjeçarit

Konflikti i vjetër. Babai i autorit ishte dënuar me katër muaj burg për përplasjet me viktimën

Konfliktet për vijën e ujit, shënojnë viktimën e radhës në rrethin e Malësisë së Madhe. Një 62-vjeçar është ekzekutuar me gjashtë plumba nga dora e fqinjit të tij, me të cilin ishte konfliktuar disa herë. Madje babai i autorit të ngjarjes, ishte dënuar me katër muaj burg, për përplasjet që kishte pasur me fqinjin për vijën e ujit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, në zonën e thellë të Dukagjinit, në rrethin e Malësisë së Madhe. Viktima Ndoc Voci(Prroji) 62 vjeç, banues i fshatit Pult, është qëlluar për vdekje me gjashtë plumba, ndërkohë që sipas policisë autori i ngjarjes është Gjokë Cukaj, 23 vjeç, banues i këtij fshati. Autori i dyshuar ende nuk është prangosur dhe është shpallur në kërkim nga policia. Burime nga blutë e Shkodrës bëjnë të ditur se mes familjeve Voci dhe Cukaj prej një viti ka pasur një konflikt të vazhdueshëm në lidhje me përdorimin e një vije uji, për të cilën pretendonin pronësi të dy familjet. Episodi më i fundit i grindjeve mes tyre është shënuar mbrëmjen e së mërkurës, dhe pas kësaj viktima Ndoc Voci ka kërkuar ndihmën e policisë. Blutë kanë bërë shoqërimin e kryefamiljarit të Cukajve. Por mesa duket guximi i 62-vjeçarit për të përfshirë organet e policisë në zgjidhjen e konfliktit, nuk është “përtypur” lehtë nga djali i familjes Cukaj. Mëngjesin e djeshëm, ai ka qëlluar në mes të fshatit me breshëri automatiku fqinjin, Ndoc Voci, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autori ka qenë i parapërgatitur për të kryer vrasjen, pasi ka pritur me armë deri sa viktima të dilte në qendër të fshatit. Burime nga policia e Shkodrës, e cila ka intervistuar dëshmitarët e ngjarjes, pohojnë për “Shqip”
se autori i ngjarjes 23-vjeçari Gjokë Cukaj, para se ta qëllonte viktimën e ka fyer dhe më pas e ka qëlluar për vdekje në shenjë hakmarrjeje. Ndërkohë mësohet se i ati i autorit të ngjarjes, pak kohë më parë ka qenë për 4 muaj në burg në lidhje me konfliktin për pronësinë e vijës së ujit me viktimën Ndoc Voci. Por edhe pas daljes nga burgu konflikti ka vazhduar sërish dhe viktima e ka denoncuar në polici, gjë që ka shkaktuar dhe vrasjen e tij nga djali i tij. Ndërkohë uniformat blu kanë bërë krehjen e zonës dhe është vënë në kërkim të tij, por pa rezultat. Terreni i thyer malor dhe njohja e mirë e zonës nga autori ngjarjes, ka bërë që ky i fundit ta ketë pasur më të lehtë ti shpëtojë prangosjes nga policia. Konfliktet për ujin në zonat e thella malorë të qarkut të Shkodrës, janë bërë disa herë burim konfliktesh, që në disa raste kanë përfunduar me armë. Katër muaj më parë një tjetër person u qëllua për vdekje po në zonën e Dukagjinit pas një sherri për pronësinë e një vije uji.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›