Lezhë, plumba mbi kryekomunarin e Blinishtit
LEZHË- Sërish plumba mbi drejtuesit vendorë në Lezhë. Kësaj radhe në shënjestër është vënë kryetari i komunës në Blinisht. Ngjarja ndodhi rreth orës 7:30, kur një i ri 22 vjeç, i identifikuar nga policia, por emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ka qëlluar mbi kryetarin e komunës Blinisht Jak Zhupa, i cili po lëvizte me makinën e tij në drejtim të vendit të punës, një "Shevrolet" me targa të huaja.
Plumbat e dalë nga gryka e një pistolete kanë depërtuar makinën në të cilën udhëtonte kryekomunari për ta zënë në gjymtyrët e poshtme të trupit. Kryekomunari 46-vjeçar Zhupa është marrë me të shpejtë për ta dërguar në urgjencën e spitalit rajonal Lezhë, ku dhe është vënë nën vëzhgimin e uniformave të bardha të këtij spitali, ndërsa sqarohet se është jashtë rrezikut për jetën, edhe pse ka patur humbje në masë të madhe të gjakut.
Policia shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes në Blinisht, afër zyrave të kësaj komune, për të hetuar në imtësi çdo detaj që ka shpënë në këtë krim ndaj autoritetit vendor. Dy janë pistat që ngrenë hetuesit deri më tani: ajo e grindjes së çastit në mes 22-vjeçarit dhe kryetarit të komunës, si dhe ndonjë problemi të mëparshëm që ka lidhje me detyrën.