E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grinden të rinjtë, thikë e kaçavidë kundër njëri-tjetrit

Një 18 dhe një 19-vjeçar kanë përfunduar me plagë në trup në spitalin e Durrësit dhe të Tiranës


DURRËS - Dy plagosje të rënda kanë ndodhur pas një sherri banal mes tre të rinjve. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:20 të së martës, në lagjen nr 4 pranë shkollës "Bedrie Bebeziqi" të Durrësit.


Në këtë orë, 18-vjeçari Andi Hyseni ka tentuar që të vrasë 19-vjeçarin Ramazan Grota. Për këtë ka pasur edhe ndihmën e një miku të vet, i cili është larguar nga vendngjarja dhe policia po punon për identifikimin e tij.


Ata i kanë dalë përpara Grotës dhe janë përleshur me të duke përdorur edhe armët e ftohta. Pala sulmuese ka qenë superiore në goditjet ndaj kundërshtarit, pasi ai ka marrë 5 plagë në zona të ndryshme të trupit.


Por edhe Grota duket se ka qenë i parapërgatitur për rrezikun, pasi ai kishte me vete një kaçavidë, të cilën e ka përdorur duke qëlluar ndaj kundërshtarëve. Në përleshje e sipër ai ka qëlluar Andin duke i shkaktuar plagë të thella e të rrezikshme në kokë.


Plagët janë vlerësuar si tepër të rënda për jetën e 18-vjeçarit nga personeli mjekësor që i ka dhënë ndihmën e parë dhe ai është transportuar për në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ndërsa i plagosuri tjetër, sipas të dhënave të policisë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Ai është shtruar në urgjencën e Spitalit Rajonal të Durrësit me 5 plagë thike të marra në zona të ndryshme të trupit. Mjekët dhe ekipi mjeko-ligjor kanë shënuar në procesverbalin e akt-ekspertizës se ai kishte marrë 3 goditje me thikë në shpatull, ndërsa 2 goditje i kishte marrë në krah.


Prokuroria ka hapur proces penal ndaj tij për veprën penale "Plagosje të rëndë", ndërsa ndaj Andi Hysenit dhe të kërkuarit tjetër që mori pjesë në përleshje, rëndon akuza e "tentativës për vrasje me paramendim në bashkëpunim".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›