Grindet me fqinjin, i kërkon 10 mln në gjyq
• TIRANE - Një grindje e rëndomtë midis fqinjëve përfundon në gjykatë, ndërsa shpagimi për fyerjet është 10 milionë lekë.Gjykata e Tiranës ka nisur të shqyrtojë pak ditë më parë padinë e një 33-vjeçareje, e cila ka paditur fqinjin e saj për fyerje. Ajo pohon në padi se kërkon dënimin me burg të fqinjit të saj P.B., banues në Laprakë pas doganës për fyerjet dhe shpifjet dhe dëmshpërblim sipas ligjeve në fuqi, për dëmin moral në vlerën e 10 milionë lekëve. Grindja midis dy fqinjëve ka ndodhur mëngjesin e 29 tetorit të vitit të kaluar, teksa e dëmtuara po kthehej nga kopshti ku kishte çuar fëmijët. Pranë banesës asaj i del përpara fqinji P.B., i cili duke pretenduar se kjo kishte hedhur plehrat para banesës së tij nis ta shajë dhe ofendojë. Duke menduar se mund ta kishte ngatërruar me ndonjë person tjetër ajo tenton të vazhdojë rrugën, ndërsa ai duke e penguar ka vazhduar nga sharjet dhe fyerjet. E dëmtuara pretendon se për këtë ngjarje ka disa dëshmitarë, të cilët do t’i sjellë në gjykatë. Pas ngjarjes e dëmtuara ka bërë denoncim në polici dhe pasi ka siguruar deklarata nga dëshmitarët e ngjarjes, e ka dërguar çështjen në Prokurori dhe më pas në gjykatë. Seanca e parë e çështjes u zhvillua pak ditë më parë, ku të dy palët të ftuar nga gjykata për kompromis, nuk ranë dakord, çka detyroi gjyqtarin e çështjes të administronte kallëzimin penal të të dëmtuarës. Ndërsa i pandehuri, mbajti qëndrim mohues ndaj akuzës duke pretenduar se nuk e kishte fyer dhe ofenduar fqinjën e vet, të dëmtuar-akuzuese. Seanca tjetër e procesit kur do të pyeten dëshmitarët pritet të jetë pas një jave. fa.ma.