Grindja e çastit, gjendet i prerë me thikë rreth qafës 19-vjeçari
Shkodër – Forcat e policisë bëjnë me dije se në afërsi të fshatit Zus në Shkodër, pikërisht në vendin e quajtur “Bregu i Lumit Buna”, është plagosur me armë të ftohtë thike në pjesën e qafës, 19-vjeçari A. Mehja, lindur dhe banues në po këtë fshat. Sipas të dhënave policore për gazetën “Albania”, i dëmtuari është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimore, ku nga hetimet e kryera, rezultoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, si pasojë e një konflikti të çastit. Policia bëri të mundur edhe identifikimin e autorit të krimit, 28-vjeçari Dritan Gucija, lindur e banues në lagjen “Fahri Ramadani”, Shkodër, ndaj të cilit është shpallur kërkimi dhe po punohet për kapjen e tij.
Pranga 26-vjeçarit, kanosi fqinjin me armë zjarri
Shkodër – Një konflikt për motive të dobëta është bërë shkak i kanosjes me armë zjarri. 26-vjeçari Flamur Kalvari ka kërcënuar pas një grindjeje qytetarin me inicialet D. G. Burime policore thanë për gazetën “Albania” se ngjarja ka ndodhur në Shkodër dhe uniformat blu, sapo mësuan se kishte pasur një konflikt mes dy personave në lagjen “Draçan, u vunë menjëherë në ndjekje të autorit të saj. Vetëm pas disa orësh u mundësua kapja në flagrancë e 26-vjeçarit, së bashku me armën e zjarrit automatik, të cilën i sipërcituari e mbante pa leje. Materialet në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprat penale; “Kanosje serioze” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Vetëhelmohet me bar miu infermierja, humb jetën në Spitalin Ushtarak
Durrës – Konsumoi një sasi helmi për minjtë dhe nuk mundi t’i shpëtonte dot vdekjes, me gjithë ndihmën e menjëhershme që iu dha në spital. Ngjarja fatale i ka ndodhur një infermiereje të Spitalit të Durrësit, e quajtur Liliana Lorja, 45 vjeç, e cila mendohet se kishte konsumuar një sasi helmi që përdoret për ngordhjen e minjve para se të gjendej në gjendje të rëndë nga familjarët. Nëna e dy fëmijë, edhe pse ka marrë ndihmën e parë nga kolegët e saj në Spitalin e Durrësit dhe është dërguar më pas në Spitalin Ushtarak të Tiranës, nuk ka mundur t’i shpëtojë dot vdekjes, që u shkaktua nga gjendja mjaft e rëndë shëndetësore. Policia ka kryer veprimet e para hetimore për këtë ngjarje dhe materialet e përgatitura do t’i kalojnë prokurorisë për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, të parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal.
Ishte në kërkim për vjedhje, u kap duke ushtruar prostitucion në Durrës
Durrës – Forcat e Policisë së Durrësit kanë mundur të vënë në pranga 26-vjeçaren Adelina M., banuese në Shishtavec të Kukësit, pasi është kapur në flagrancë duke ushtruar prostitucion kundrejt shumës së 500 lekëve në hotelin “Riviera” në Shkozet me personin me iniciale B. M. Por burimet policore bëjnë të ditur për se ajo rezultonte të ishte e dënuar edhe me 9 muaj burg për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim” të parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal. Menjëherë forcat e policisë së Durrësit kanë vënë në dijeni për kapjen e saj Policinë e Kukësit për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.
Policia vë në pranga adoleshentin, ishte në kërkim për vjedhje
Tiranë – Një 17-vjeçar është ndaluar dje nga policia pasi ishte shpallur në kërkim për vjedhje. Efektivat e Komisariatit të Policisë nr. 3, çuan në qeli dje 17-vjeçarin Xhemal Beqiri, lindur në Kukës dhe banues në Kamzë. Sipas policisë, adoleshenti ishte shpallur në kërkim nga uniformat blu të Tiranës, pasi Gjykata e Rrethit me vendim nr. 658, datë 7 maj të vitit 2008, e ka dënuar atë me 3 muaj burg për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim”. Policia kishte siguruar informacione në rrugë operative për vendndodhjen e të kërkuarit ndërsa dje është angazhuar dhe ka bërë të mundur edhe kapjen e tij.
9 Korrik 2009