E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni “Diploma”, zbulohen dy mjeshtër të falsifikimit të dokumenteve

Arrestohen në kushtet e flagrancës Roland Papaproko dhe Franc (Kujtim) Borova. Ndalimi kur po prodhonin një vulë të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe një dëftesë të gjimnazit “Partizani”

Luan Kondi

Tiranë – Dy persona, një nga Vlora dhe tjetri nga Tirana, ishin burimi i vyer i falsifikimit për qindra shqiptarë nga i gjithë vendi, të cilët mbaronin punë duke dorëzuar dokumente me të dhëna të rreme në institucionet që u kërkoheshin. Aktiviteti i tyre kriminal ka vazhduar deri dje, teksa policia i ka kapur me “presh në duar”, në kushtet e flagrancës, dhe iu ka hedhur menjëherë prangat.
Informacionet
Dyshimet e policisë kishin kohë që kishin lindur për dy personat, për shkak edhe të sinjaleve të mbërritura në rrugë operative, por vetëm dje u krijuan kushtet për zhvillimin e operacionit policor të koduar “Diploma”. Ky operacion, u finalizua nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik Financiar në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Kërkimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Në përfundim të aksionit, u vendosën në pranga Roland Papaproko, 56 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tirane dhe Franc (Kujtim) Borova, 57 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve. “Në ngarkim të tyre, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë kishte nisur procedimin penal sepse dyshoheshin për konsumim të veprave penale; ‘falsifikim i dokumenteve’, ‘falsifikim i dokumenteve shkollore’ dhe ‘falsifikim i vulave stampave ose formularëve’,-thanë për gazetën “Albania” burime nga uniformat blu të kryeqytetit.
Hetimi
Në sajë të grumbullimit të informacioneve dhe duke përdorur metodat speciale të hetimit u arrit që dy mjeshtrit e falsifikimit të kapen në kushte e flagrancës. Ata u prangosën pikërisht gjatë kohës kur po prodhonin një vulë me mbishkrimin “Ministria e Mbrojtjes, Dega e Mobilizimit” dhe një dëftesë pjekurie të Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Partizani”. Ndërkohë, pas kryerjes së veprime hetimore dhe procedurale u mundësua sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të një vule të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, një vulë e vendkalimit kufitar Kakavijë, një vulë e Ministrisë së Mbrojtjes, Dega Mobilizimit, dy vula të institucioneve joqeveritare, një Diplomë e UT, Fakulteti Ekonomik së bashku me listën e notave, tre leje drejtimi të vulosura të paplotësuara që dyshohen të falsifikuara, si dhe një sasi materiali fletë gome dhe vegla të ndryshme që përdoren për prodhimin e vulave.

9 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›