E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grindja për një femër, thikë në zemër 25-vjeçarit

Erjon Pepellashi qëlloi Elis Spahon pas një sherri në lokal duke e lënë të vdekur dhe duke plagosur dy shtetas të tjerë

Arrestimi i 24-vjeçarit u bë në orët e vona të pasdites, ndërsa para hetuesve ai e ka pranuar krimin e kryer

KORÇË- Një grindje pas mesnate në qytezën studentore ka çuar në një të vrarë dhe dy të plagosur, ndërsa pasditen e djeshme është arritur të vihet në pranga edhe autori i ngjarjes, 24-vjeçari Erjon Pepellashi. Gjithçka ka nisur pas një debati për një femër dhe ka vijuar me goditje me thikë, ku si pasojë ka ndërruar jetë 25-vjeçari Elis Spaho dhe janë plagosur dy shokët e tij, Klodian Hoxha e Leonard Ballço. Pas arrestimit të autorit akuzat e ngritura ndaj tij janë "vrasje me dashje", si dhe "armëmbajtje pa leje".


Ngjarja


Vrasja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në ambientet e brendshme të qytezës studentore të universitetit "Fan Noli" të Korçës, rreth orës 01:00. Një grup të rinjsh që kanë qenë së bashku në lokalin e studentëve duke pirë, pas konsumimit të një sasie alkooli janë konfliktuar ashpër me njëri-tjetrin, ndërsa dyshohet se gjithçka ka pasur si pikënisje debatin për një vajzë. Si pasojë kanë nisur sharjet e më pas grushtat.

Sherri i nisur në lokal është zhvendosur tek dera e jashtme e "Qendrës së Trajtimit të Studentëve", duke përfunduar fatalisht, pasi 24-vjeçari Erjon Pepellashi ka nxjerrë një thikë dhe me të ka nisur të qëllojë personat me të cilët po grindej. Si rrjedhojë, ka gjetur vdekjen Elis Spaho, ndërsa janë plagosur dy shokët e tij, Klodian Hoxha e Leonard Ballço. Ndërsa vetë autori i krimit u largua nga vendngjarja, duke u shpallur në kërkim


Policia


Nga dëshmitë e para rezultoi se të rinjtë kishin qenë duke pirë dhe në çastin kur janë grindur kishin konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli. Sipas uniformave blu, asnjëri prej personave të përfshirë në sherr nuk ishte konviktor apo student. Autori, i cili më pas u shpall në kërkim, ishte një i ri nga qyteti i Korçës, i cili e goditi Elis Spahon me thikë në zemër duke e lënë të vdekur në vend.

Sulmi i tij ka vijuar dhe ndaj dy personave të tjerë të cilët mbetën të plagosur. Megjithë transportimin e 25-vjeçarit në spital, mjekët konfirmuan se vdekja kishte qenë e menjëhershme. Ndërsa dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.


Hetimi


Pas ngjarjes, policia e mbërritur në skenën e krimit, shoqëroi për t'u marrë në pyetje më shumë se 10 persona, ndërsa identifikimi i autorit qe i lehtë për shkak edhe se të plagosurit ishin jashtë rrezikut për jetën.

Nga ana e bluve u konfirmua se arrestimi do të ishte çështje orësh, ndërsa u tha se sherri kishte ndodhur për motive banale. Arrestimi i autorit të ngjarjes u bë rreth orës 18:00 të pasdites në një fshat të Korçës, në banesën e një të afërmi të Pepellashit.

"Unë e kreva vrasjen" mësohet që të ketë qenë pohimi i 24-vjeçarit Pepellashi përpara oficerëve të policisë gjyqësore. Menjëherë pas vënies në pranga në një fshat të Korçës, tek një i afërm i tij, i riu ka kërkuar që t'i vihet një avokat dhe të flasë në prani të tij. Ndërkohë, i pyetur lidhur me vrasjen e ndodhur pak pas mesnatës, ai e ka pranuar se është autor i saj, si dhe i plagosjeve të dy shtetasve të tjerë.

Por ai është shprehur se ishte i penduar për veprën që kishte kryer në gjaknxehtësi e sipër dhe se ishte ende në shok nga fakti që Elisi kishte vdekur. Sipas Pepellashi, gjithçka ka qenë me synimin për ta trembur, dhe jo për ta vrarë 25-vjeçarin. Në orët e vona të mbrëmjes vazhdonte marrja në pyetje e tij për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›