Lihet në qeli vrasësi i nënës
Gjykata ka vendosur "arrest në burg" për 19-vjeçarin i cili qëlloi mbi të ëmën me kallashnikov një muaj më parë
SHKODËR - "Burg pa afat" ka vendosur si masë sigurie Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër për 19-vjeçarin Ylber Tahiri, i ndaluar të dielën nga policia me akuzën e vrasjes së nënës së tij Lumnije Tahiri.
Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Hasan Selimi pasi ka dëgjuar provat e paraqitura nga organi i akuzës i përfaqësuar nga prokurorja Edlira Cufi, e cilësoi të ligjshëm ndalimin e bërë nga policia për Ylber Tahirin nga fshati Vallas i komunës Ana e Malit në Shkodër.
Ai akuzohet se më 23 mars të këtij viti ka vrarë brenda në banesë nënën e tij, 37-vjeçaren Lumnije Tahiri dhe së bashku me famijarët e tjerë e ka fshehur krimin duke e varrosur nënën dhe paraqitur vdekjen e saj si vdekje natyrale.
Akuza ka kërkuar "burg pa afat" për Ylber Tahirin ndërsa është shprehur se pa përfundimin e hetimeve nuk mund të përcaktojë cilësimin e veprës penale në vrasje nga pakujdesia apo vrasje me dashje, pasi duhen pritur rezultatet e ekspertizave përkatëse. Prokuroria e Shkodrës ka bërë gjithashtu kërkesë për zhvarrosjen e kufomës së Lumnije Tahirit me qëllim ekspertimin mjeko-ligjor.
Mbrojtja ka kërkuar që gjykata të caktojë për 19-vjeçarin si masë sigurie atë të arrestit në shtëpi dhe këtë e ka motivuar me deklarimet e të pandehurit, familjarëve të tij dhe rrethanave të ngjarjes, që sipas mbrojtjes janë bindëse se vrasja ka qenë nga pakujdesia.
Arma, sipas avokatit, është shkrepur aksidentalisht nga 19-vjeçari, teksa ky po e pastronte dhe ka goditur nënën e tij që ndodhej në dhomë.
Gjithashtu mbrojtja ka theksuar se Ylber Tahiri që nga dita e ngjarjes është në kushtet e tronditjes psikike. Por gjykata në vendimin e saj ka qenë në një mendim me prokurorinë dhe ka vendosur që ta lërë në burg 19-vjeçarin, deri në një përgjigje të ekspertizës.