E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet "Xubi" i Yzberishit, vrau hasmin

Fatmir Avdillari, i njohur me nofkën "Xubi", u kap dje në mesditë nga policia në kodrat e fshatit Yzberish, ndërsa është gjetur arma e krimit

I arrestuari pranoi vrasjen e Ardian Tahirit, të cilin pohoi se e kishte kryer pas djegies së të vëllait në Athinë nga viktima


Rikthehet ne qeli "Xubi", akuzohet si i dyshuari kryesor i vrasjes së emigrantit Ardian Tahiri të shtunën e javës së kaluar në Tiranë. Fatmir Avdillari, 36-vjeç, ose siç njihet ndryshme me pseudonimin "Xubi" ka mundur të qëndrojë i fshehur vetëm pesë ditë pasi emri i tij u lakua nga policia fill pas atentatit që ndodhi mbrëmjen e së shtunës ku mbeti i vrarë 37-vjeçari Ardian Tahiri nga Fieri dhe u plagos 26-vjeçari Roland Caka.

Krimi ndodhi në ambientet e një lokali në rrugën "Irfan Tomini" në Tiranë, dhe policia mundi të identifikonte menjëherë autorin e dyshuar të krimit, Fatmir Avdillarin, i cili kishte vetëm dy muaj që jetonte në liri, pasi qëndroi në burg për 10 vjet i dënuar për vrasje.

Ndërkohë "Xubi" u arrestua pak pas mesditës së djeshme në Yzberish nga oficerët e zyrës së hetimit të vrasjeve në Policinë e Tiranës, të cilët e morën atë në pyetje për të zbardhur dhe motivin e vrasjes.


Dëshmia


"E vrava se më vrau vëllanë". Fatmir Avdillari fill pas arrestimit ka pranuar krimin para oficerëve të policisë kriminale duke treguar dhe motivet. Burime nga policia thanë se në janar të vitit 2008, "Xubit" i kanë vrarë vëllain në shtetin Grek, në atë kohë 36-vjeçari ndodhej në burg ku vuante dënimin për vrasje.

Pasi u lirua nga burgu, në janar të këtij viti Avdillari ka filluar të interesohet për autorin e vrasjes së vëllait të tij Fiqiri Avdillari. Kështu ai kishte dëgjuar fjalë madje sipas tij ishin të sigurta se, krimi ishte kryer nga 37-vjeçari Ardian Tahiri i cili ishte emigrant në Greqi.

Ky i fundit, para pak muajsh ishte kthyer nga Greqia dhe po jetonte në kryeqytet. Burimet policore thanë se Avdillari i ishte vënë "këmba-këmbës" "vrasësit" të vëllait të tij për të marrë hak, betim të cilin e kishte bërë që kur ndodhej në burg.

"Ardian Tahiri vrau vëllain tim në Greqi, dhe unë mora hak",- mësohet të ketë thënë para oficerëve Avdillari, ndërsa nuk ka dhënë detaje të imtësishme.


Vrasja


Fatmir Avdillari akuzoi 37-vjeçarin Ardian Tahirin për vrasjen e vëllait të tij, ndaj dhe e dënoi atë me vdekje mbrëmjen e së shtunës më datë 11 prill të këtij viti. Fieraku Ardian Tahiri nuk ishte skeduar nga policia Greke apo Shqiptare për vrasjen e Fiqiri Avdillarit, vëllait të "Xubit", por ky i fundit dyshohet të ketë hetuar vetë për vrasjen e të vëllait.

Hetimi i tij zbuloi emrin e Tahirit si autor të vrasjes duke detyruar "Xubin" të hakmerret. Megjithëse kishte vetëm tre muaj liri, pasi kishte qenë për 10 vjet i izoluar, Avdillari nuk ka hezituar të kryejë sërish vrasje kësaj radhe në "emër të vëllait" të tij.

Policia e Tiranës mundi të zbulonte autorin e vrasjes së Ardian Tahirit, vetëm pak orë më pas megjithëse autori i krimit ishte i maskuar dhe mundi të largohej para se të mbërrinin uniformat blu. Pas pesë ditë kërkimesh, policia realizoi ditën e djeshme kapjen e Avdillarit në Kodrat e Yberishit, ku ai strehohej për t'iu shpëtuar prangave të policisë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›