E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grindja për pronat shkakton dy të vrarë

KONFLIKTI/ Shaban Karabrahimi dhe Sadik Lazri kanë mbetur të vdekur si pasojë e një grindjeje për tokën

Forcat e policisë vunë në pranga 35-vjeçarin Kujtim Hasanaj vetëm pak orë pas ngjarjes, fqinjë me viktimat


DURRËS - Përgjaket e diela e Pashkëve ortodokse në Durrës me një incident tragjik që ka përfunduar me dy të vrarë dhe një të plagosur rëndë. Çështjet e pronësisë kanë qenë edhe për këtë rast shkak për konfliktin, ndërsa policia ka arritur të vërë në pranga autorin e vrasjeve vetëm pak kohë më pas.

Fqinj të dy familjeve të përfshira në fatkeqësi bënë të ditur se konflikti ishte shumë i hershëm dhe debati mes tyre nuk ka arritur të mbyllet as me një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Kjo ka bërë që pasditen e djeshme, grindja mes familjes Hasanaj dhe Karabrahimi të çojë në vdekjen e Shaban Karabrahimit dhe Sadik Lazrit, si dhe në plagosjen e Ibrahim Karabrahimit. Ndërkohë është arrestuar Kujtim Hasanaj, i cili akuzohet për vrasje, si dhe për armëmbajtje pa leje.


Ngjarja


Ngjarja e rëndë që ka pasur një fund tragjik për jetën e dy personave ka ndodhur në lagjen 14 të qytetit të Durrësit, në Shkozet, tek banesat e ulëta që ndodhen në afërsi të mbikalimit të njohur si mbikalimi i serave të Shkozetit. Atje banonin edhe viktimat e konfliktuara për pronësinë e tokës.

Mësohet se ka qenë ora rreth 19:00 kur disa krisma arme kanë ndërprerë një debat të nxehtë mes palëve dhe fqinjët e alarmuar nga britmat e të afërmve të tyre kanë dalë duke u drejtuar për nga zhurmat. Në vendngjarje kanë qenë tre persona të përgjakur nga plagët e marra.

Është njoftuar policia, e cila ka çuar menjëherë në spital të tre të plagosurit, por dy prej tyre, në gjendje të rëndë kanë ndërruar jetë posa kanë mbërritur.

Ndërkohë, i treti ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Më pas është marrë informacioni se kush ishte autori i mundshëm i vrasjes, i cili ishte larguar menjëherë nga vendngjarja. Në skenën e krimit u sekuestrua një pistoletë tip TT, si dhe gjashtë gëzhoja.

Në armë nuk kishte asnjë fishek, për shkak se i gjithë municioni ishte harxhuar nga qitjet e kryera.

Arrestimi i autorit është bërë rreth dy orë më pas, ndërsa burime nga policia shprehen se pas prangosjes, Kujtim Hasanaj, i marrë në pyetje ka deklaruar se shkak për krimin e kryer kanë qenë konfliktet për një sipërfaqe toke në kufi të dy familjeve, e cila i përkiste atij ligjërisht.


Konflikti


Sipas fqinjëve të personave të përfshirë në vrasje, konflikti mes familjeve kishte kohë që ziente. Vëllezërit Shaban e Iliridan Karabrahimi, të ardhur prej vitesh në Shkozet, kishin zënë një pjesë të serës, të cilën e kishin kthyer në banesë dhe në stallë lopësh.

Kujtim Hasanaj, i ardhur nga qyteti i Tropojës, ka nisur të konfliktohet për pronën, për të cilën pretendonte se i përkiste atij dhe se dy vëllezërit duhet të largoheshin menjëherë.

Ora shënonte 18:45 kur në shtëpinë e Shabanit është futur Kujtimi dhe ka nisur të debatojë me tone të larta, duke iu thënë se duhet të largoheshin sa nuk ishte vonë.

Por kjo situatë vetëm sa ka sjellë reagimin e nervozuar të dy vëllezërve, të cilët janë shprehur se tokën e kishin blerë dhe si rrjedhojë nuk do të largoheshin. Kjo ka bërë që debati të nxehet edhe më tepër.

Në oborrin e shtëpisë, teksa fjalët vinin dhe bëheshin më të rënda, Hasanaj ka nxjerrë pistoletën të cilën e kishte me vete dhe ka shtënë në drejtim të dy vëllezërve. Por, fatkeqësisht, në rrezen e tij është ndodhur rastësisht edhe Sadik Lazri, trupin e të cilit e kanë përshkuar plumbat gjithashtu.

Pas marrjes në pyetje, familjarët e viktimave kanë dëshmuar në polici se Hasanaj edhe më parë i kishte kërcënuar duke iu thënë se, nëse nuk do të largoheshin, do t'i vriste.

------------------------------------------------------------------------------------------------------

Policia: Toka i përkiste vrasësit


Në orët e vona të mbrëmjes, në deklaratën e saj për shtyp, policia u shpreh se ishte realizuar arrestimi në flagrancë i 35-vjeçarit Kujtim Hasanaj, banues në lagjen nr.14 Shkozet Durrës.

"Pjesëtarët e dy familjeve janë konfliktuar me njëri-tjetrin për një sipërfaqe trualli që është përdorur nga familja Karabrahimi, por me vendim gjykate, nga ana e zyrës së përmbarimit Durrës, më datë 15 prill 2009, i është dhënë familjes tjetër",- shprehen burimet zyrtare.

Po sipas policisë, gjatë konfliktit Hasanaj ka qëlluar me armë tip pistoletë të cilën e mbante pa leje, në drejtim të vëllezërve Shaban e Iliridan Karabrahimi.

Nga të shtënat janë plagosur rëndë Shaban Karabrahimi, 49 vjeç, Sadik Lazri, 29 vjeç, të cilët kanë gjetur vdekjen më pas në spitalin rajonal të qytetit, si dhe është plagosur lehtë në dorë shtetasi Iliridan Karabrahimi, 39 vjeç.

Menjëherë pas ngjarjes shërbimet e policisë kanë bërë të mundur kapjen e autorit Kujtim Hasanaj, si dhe të armës me të cilin u krye krimi. Në vendngjarje u gjetën dhe u sekuestruan gjashtë gëzhoja pistolete.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›