Shembet ish-kinemaja, nis ndërtimi pa leje
ABSURDI/ Anëtarë të KRRT-së së Lezhës shprehen se s'kanë dijeni as për shembjen, as për nisjen e ndërtimeve
LEZHË - Qyteti i Lezhës tashmë e ka "shembur" kinemanë e vet, duke i hapur rrugë ndërtimit të një tjetër objekti.
E megjithatë, prishja e këtij institucioni të kulturës dhe ngritja në vend të tij e një ndërtese shumëkatëshe rezulton të jetë bërë pa një leje nga institucionet përkatëse, fakt ky i konfirmuar si nga anëtarë të Këshillit Teknik, gjithashtu edhe nga KRRT-ja e Bashkisë së Lezhës.
Qytetarët shprehen të pakënaqur e po kështu edhe personat që banojnë ngjitur me këtë objekt të ri në ndërtim, ndërsa një peticion i drejtuar autoriteteve vendore duket se ka mbetur në heshtje. Në tabelën shoqëruese të këtij investimi nuk ka asgjë të shkruar veç një fotografie të objektit. Kanë mjaftuar pak ditë që gjithçka të marrë një formë tjetër nga ajo që ishte parë më parë nga qytetarët.
Shqetësimi për këtë ndërtim është ngritur si nga anëtarët e Këshillit Teknik, ashtu edhe nga anëtarët e KRRT-së në Bashkinë Lezhë, të cilët kanë deklaruar se deri më tani asnjë kërkesë nuk është paraqitur, si për prishjen e kinemasë, ashtu edhe për dhënien leje për shesh ndërtimi.
Agustin Marku, anëtar i Këshillit Teknik në Bashkinë e Lezhës, deklaron se nuk është dhënë asnjë vendim për prishje objekti në asnjë zonë të qytetit, pasi nuk ka pasur një kërkesë të tillë pranë institucionit që operon në bashki siç është Këshilli Teknik.
Ai thotë se nuk është miratuar asnjë studim urbanistik për sheshin ku ka filluar të ndërtohet godina shumëkatëshe pas prishjes së ish-kinemasë.
Sipas Markut, duke iu referuar premtimeve që vetë kryetari aktual ka dhënë para qytetarëve për të realizuar planin e përgjithshëm urbanistik të qytetit, i është kërkuar atij që në të gjitha rastet të veprohet në përputhje me studimin e kryer deri më tani, duke i bërë thirrje që të bashkëpunojë në këtë drejtim.
Për prishjen e ish-kinemasë dhe ndërtimin e një objekti shumëkatësh pa asnjë leje dhe pa realizuar planin urbanistik kanë reaguar edhe dy anëtarë të KRRT-së në Bashkinë e Lezhës, Tonin Uldedaj dhe Mastaf Shema. Sipas Uldedajt, prishja e një institucioni kulturor për një qytet me vlera artistike dhe historike, siç është Lezha, është diçka e pazakontë, pasi kështu është eliminuar i vetmi institucion kulturor artistik që ka pasur ky qytet.
Ai ka deklaruar se nuk është në dijeni të ndonjë kërkese të mundshme për prishje objekti, dhe po ashtu nuk është në dijeni të ndonjë tjetër kërkese për dhënie leje për shesh ndërtimi. Uldedaj kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar.
Në këtë objekt që pretendohet të ndërtohet ngjitur edhe me 4 objekte të tjera, nga pikëpamja urbanistike dëmton rëndë infrastrukturën e këtyre godinave, ndërsa rrezikon edhe themelet e tyre.
Një tjetër anëtar i KRRT-së, Mustaf Shema, ka deklaruar se asnjë leje nuk është dhënë për ndërtimin e një objekti në qendër të qytetit të Lezhës dhe se fakti që institucioni i bashkisë nuk ka ndërhyrë për këtë rast, lë shumë për të dëshiruar.
Banorët, peticion për ndërtimin pa leje
Me anë të një peticioni dërguar disa institucioneve vendore në Lezhë, por edhe Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, pronarët e objekteve ngjitur me kantierin e ngritur për ndërtimin e godinës, hedhin dyshime se investitorët kanë mbështetjen e autoriteteve lokale, pasi në të kundërtën inspektoriati ndërtimor në Lezhë, por edhe policia bashkiake do të kishin ndërhyrë në këtë rast.
Pronarët e këtyre biznese ndihen të kërcënuar nga vazhdimi i ndërtimit të një objekti shumëkatësh ngjitur me godinat e tyre, duke shprehur frikën e ndonjë shembjeje të mundshme.
Po sipas tyre, asnjë person si nga investitorët, ashtu edhe nga bashkia, nuk është paraqitur me planin urbanistik për këtë shesh ndërtimi, i cili i garanton ata për moscënim të themeleve të ndërtesave të tyre nga rrëshqitja e tokës.