Katër doganierë në burg të tjerët në shtëpi
Gjykata komunikoi masën e arrestit, për doganierët e arrestuar me akuzën e trafikimit të mjeteve dhe falsifikimit të dokumenteve
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, me kërkesë të institucionit të akuzës verifikoi paraditen e djeshme masat e sigurisë dhënë në mungesë ndaj 7 ish-doganierëve tashmë të liruar nga detyra, pasi u arrestuan tre ditë më parë për akuzat e "korrupsionit pasiv"; "shpërdorimit të detyrës" dhe "falsifikimit të dokumenteve" në bashkëpunim.
Kështu, togat e zeza të drejtuara nga gjyqtari i vetëm Martin Deda, shqyrtoi verifikimin e personave me masat e sigurisë dhënë ditën e arrestimit në mungesë të tyre, duke lënë në qeli deri në përfundim të hetimeve vetëm dy prej tyre.
Sipas vendimit të gjyqtarit Deda, i arrestuari Ëngjëll Dylgjeri dhe Ylli Sharra do të mbesin në qeli me masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve, për shkak se dyshohet se janë "drejtuesit" e falsifikimit të dokumenteve për doganimin e makinave të vjedhura jashtë Shqipërisë.
Gjyqtari Deda, mori këtë vendim, edhe pse i arrestuari Ylli Sharra vendosi në çmim të gjykatës, garanci pasurore kundrejt një mase sigurie më të butë, kërkesë kjo që u kundërshtua edhe nga prokurori i çështjes, Besnik Cani.
Ndërkohë, për të arrestuarit Oligert Isa dhe Xhevdet Mali, gjyqtari Martin Deda vendosi t'i lëjë në qeli me masën e sigurisë "arrest me burg" me afat 15- ditor, kohë kjo e mjaftueshme për prokurorinë për të sjellë provat që përfshijnë dy të arrestuarit e tre ditëve më parë në këtë rrjet të personave që doganonin makinat e vjedhura.
Ndërsa, për tre të arrestuarit e tjerë: Frida Guxia, Sofokli Qose dhe Ilmi Krantia, me kërkesë të organit të akuzës, gjyqtari vendosi që ata të hetohen në gjendje të lirë me masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje" para oficerit të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës.
Sipas njësisë së task-forcës që po i hetonte shtatë të arrestuarit për pesë muaj, rezultojnë të faktuara se në bashkëpunim me njëri-tjetrin punonjësit shtetërorë kanë futur në Shqipëri dhe më pas kanë kryer procedurat e doganimit për dy makina të vjedhura jashtë territorit shqiptar.
Gjithashtu, mësohet se gjatë fazës hetimore, njësia-task-forcës ndaj të arrestuarve ka siguruar një sërë CD-sh me përgjime, foto dhe pamje filmike të kryera gjatë vëzhgimit të punës së tyre.
Ndërsa, nuk përjashtohen dyshimet që shtatë të arrestuarit kanë kryer procedura të njëjta edhe me një numër jo të vogël makinash të tjera, që janë vjedhur jashtë Shqipërisë dhe futur në doganë jashtë rregullave ligjore.
TË AKUZUARIT
Ëngjëll Dylgjeri, 48-vjeç, me detyrë Agjent Doganor, pranë Degës Doganore Tiranë, "Arrest me burg"
Ylli Sharri, 46-vjeç, me detyrë Komisionar pranë Lejeve të Drejtimit në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë, "Arrest në burg"
Xhevdet Mali, 48-vjeç, me detyrë Agjent Doganor, pranë Degës Doganore Tiranë, "Arrest me burg" me afat 15 ditor
Olgert Isa, 27-vjeç, me detyrë Inxhinier pranues Dokumentesh pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë, "Arrest me burg" me afat 15 ditor
Frida Guxia, 56-vjeç, me detyrë Doganiere, pranë Degës Doganore Shkodër, "detyrim paraqitjeje"
Sofokli Qose, 42-vjeç, me detyrë Doganier pranë Degës Doganore Tiranë, "detyrim paraqitjeje"
Ilmi Krantia, 50-vjeç, me detyrë Doganier pranë Degës Doganore Tiranë, "detyrim paraqitjeje"