Grindje mes grupesh shqiptare, një i vrarë, dy të plagosur
SHERRI/ Agim Leka ka ndërruar jetë, ndërsa Rodjan Ruçi ndodhet ende në gjendje të rëndë për jetën në spital
ITALI - Një 29-vjeçar shqiptar i vdekur dhe dy bashkëkombas të tij të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë. Ky është bilanci i një shkëmbimi zjarri mes dy grupesh shqiptare, siç dyshohet nga hetuesit, i cili ka ndodhur mëngjesin e së dielës rreth orës 5 në Areco.
Agim Leka u dërgua në urgjencën e spitalit të Arecos me një automjet, i cili më pas u largua me shpejtësi të madhe. Teksa infermierët dolën jashtë pasi dëgjuan zhurmën e makinës që largohej, e gjetën të riun të shtrirë përtokë. Ishin të kota ndërhyrjet e mjekëve, sepse 29-vjeçari ndërroi jetë pak më pas.
Në vendngjarje kanë mbërritur autoambulancat të cilat kanë transferuar të plagosurit në spital: Rodjan Ruçi, 27 vjeç, iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirugjikale dhe tashmë ndodhet në gjendje të rëndë i shtruar në repartin e reanimacionit.
Ai kishte marrë një plumb që i kishte dëmtuar arterien kryesore në kofshë. Ndërsa i plagosuri tjetër kishte plagë të lehta, ndoshta një kaçavidë, dhe u largua menjëherë pas mjekimit nga spitali.
Tragjedia ka ndodhur pak pas orës pesë të mëngjesit: duket se gjithçka ka filluar pas vjedhjes së një automjeti, një "Mercedes, klasi A", mes grupeve shqiptare në dalje të një klubi nate të qytetit. Dhe, njëra palë nuk ka hezituar që të shkojë në shtëpinë e autorit të dyshuar të vjedhjes në rrugën "Torriçeli".
Ka lindur më pas një grindje shumë e ashpër në katin e parë të pallatit që është pasuar nga një shkëmbim zjarri në sheshin përballë: një numër shumë i madh të shtënash dhe tre të plagosur: mes tyre një i ri është çuar në prag të vdekjes në spitalin "San Donato" nga miqtë e tij që më pas janë larguar. Tashmë agjentët e policisë po kërkojnë të dhëna për të hedhur dritë mbi ngjarjen dhe për të gjetur përgjegjësit. Dy shqiptarë mësohet se janë ndaluar tashmë dhe janë shoqëruar në kuesturë.