Grindjet në qeli, transferohen të dënuar të sigurisë së lartë
• TIRANE – Policia e Burgjeve ka transferuar gjatë fundjavës disa të burgosur të sigurisë së lartë, pasi janë përfshirë në konflikte me njëri-tjetrin në qeli.Duke u nisur nga disa grindje të përsëritura nëpër burgje, kryesisht nga të dënuarit e sigurisë së lartë, Policia e Burgjeve ka lëvizur disa prej tyre nga burgu i Peqinit, Lezhës, Burrelit dhe Bënçës. Burime nga burgjet pohojnë se, këto lëvizje janë bërë gjatë ditëve të fundjavës, ndërsa më parë ishte siguruar informacioni për mosmarrëveshjet midis të dënuarve që ishin kthyer në konflikte dhe zënka banale. Fatmirësisht ndërhyrja në kohë e efektivëve të burgjeve ka shmangur rrahjet midis të dënuarve, ndërsa ndarja e tyre nëpër sektorë të ndryshëm në burg apo transferimi në burgje të tjera ka bërë që të minimizohen problemet nëpër institucionet e riedukimit. Tri ditë më parë si pasojë e një zënke të nisur më parë midis të burgosurit Lavdërim Tufa dhe një të dënuari tjetër në Peqin, në grindje u përfshi edhe Agim Pepa, por ndërhyrja e policëve të burgut bëri që të shmangej ndonjë incident midis tyre. Edhe në burgje të tjera ditët e fundit janë shënuar incidente midis të dënuarve të sigurisë së lartë, por pa pasoja të rënda pasi ndërhyrja e efektivëve të sigurisë dhe gardianëve ka zbutur situatën. fa.ma.