Rama shtrin dorën, ky është Pakti ynë
• Pak ditë më parë, kryetari i PS-së, Edi Rama, prezantoi Paktin Kombëtar për Drejtësinë, pikërisht ditën kur PS-ja paraqiti në Kuvendin e Shqipërisë, në Komisionin e Ligjeve propozimet socialiste për reformën në Drejtësi.Sipas tij, ky ishte një hap dhe një akt i frymëzuar sa nga nevojat integruese të vendit e fillimisht në NATO, po aq dhe nga nevoja për të “garantuar barazinë e qytetarëve shqiptarë përpara ligjit, duke kryer një reformë të thellë të sistemit të drejtësisë”. Sipas tij, “Pakti Kombëtar për Drejtësinë është një dokument që i angazhon të gjitha partitë parlamentare shqiptare, në një projekt politik të përbashkët, për pavarësinë e plotë të sistemit të drejtësisë dhe për realizimin e konsensusit lidhur me organizimin gjyqësor, me qeverisjen e gjyqësorit, me statusin e gjyqtarit e të prokurorit, me financimin e sistemit të drejtësisë, me raportin mes gjyqësorit shqiptar me gjykatat evropiane, me arsimin juridik dhe me një sërë elementesh specifikë, pa të cilët nuk mund të ketë një drejtësi të pavarur e të barabartë për çdo qytetare e qytetarë të Republikës së Shqipërisë”. Rama sqaron se bëhet fjalë për një platformë parimesh që i detyron të gjitha partitë parlamentare shqiptare, të sillen e të veprojnë njësoj në raport me sistemin e drejtësisë, si kur janë në maxhorancë, edhe kur janë në opozitë, duke vënë përfundimisht politikën në shërbim të drejtësisë dhe duke mbyllur njëherë e mirë kapitullin e drejtësisë në shërbim të politikës”.