“Krerët e gjykatave, kufizimi i mandatit ishte kushtetues
• Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, mbrojti dje vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për kufizimin e mandatit të kryetarëve të 14 gjykatave të Faktit dhe Apelit në gjithë vendin.Fatos Mahmutaj Gjatë një konference për shtyp, ai pohoi se kjo nuk ka të bëjë aspak me motive politike por është kompetencë e KLD-së për të shpallur përfundimin e mandatit të krerëve të gjykatave. “KLD-ja deklaron se pozicioni i kryetarit të këtij këshilli në çdo vendim ka qenë në mbrojtje dhe zbatim të Kushtetutës së Republikës. Prej disa kohësh Presidenti i Republikës dhe KLD-ja kanë qenë në krye të iniciativave për reformën në drejtësi. Kryetari i KLD-së në disa raste ka iniciuar tryezat partiake për të garantuar konsensusin për këtë reformë”, tha Spahiu. Ndërsa duke folur për mbledhjen e fundit të këshillit, ai tha se u vendos në unanimitet limitimi i mandateve të krerëve të gjykatave në katër vjet. Sipas tij, me gjithë tendencat dhe ambiciet e demonstruara nga politika kryetarët e gjykatave nuk mund të emërohen as me direktiva partie, as me pëlqimin e Parlamentit por janë ekskluzivitet i vendim marrjes së KLD-së.Vendimi Spahiu u shpreh se, përfundimi i kësaj periudhe katërvjeçare, përben vetëm një nga situatat e mbarimit të funksionit drejtues të kryegjyqtarëve, që janë parashikuar me vendimin e KLD-së të 12 korrikut 2007. Kjo, sipas tij, do të thotë që vendimi i mbledhjes se fundit, është në koherencë dhe vazhdimësi me qëndrimin e KLD-së për rregullimin e pozicionit të drejtuesve të gjykatës. Duke argumentuar Spahiu shtoi se, nuk ka asnjë pengesë ligjore dhe vlen të përmendet se ushtrimi i detyrës së gjyqtarit dhe kryetarit të gjykatës janë dy situata të ndryshme. Për periudhën e qëndrimit në detyrë si gjyqtar i rrethit gjyqësor apo Apelit, me garanci kushtetuese nuk ka kufizim në kohë dhe as ligji organik i pushtetit gjyqësor nuk e ka limituar dhe as mund ta limitojë këtë sanksionim direkt nga Kushtetuta. KLD-ja, deklaroi Spahiu, ka në nomenklaturë emërimin dhe shkarkimin e kryetarëve të gjykatës dhe për rregullimin e kësaj kompetence të parashikuar shprehimisht në ligjin organik, në bazë të të cilit ka nxjerrë vendimin e limitimit të mandateve që nuk kanë asnjë përplasje me ligjin. Argumentet “Periudha e qëndrimit në detyrë e kreut të gjykatës nuk ka pse të jetë e pakufizuar në afat, pasi në thelb, drejtimi nuk lidhet me veprimtarinë e gjyqtarit, por me organizimin e punës ne veprimtarinë e përditshme administrative të gjykatës”, tha Spahiu. Ai pohoi se së dyti, raporti i veprimtarisë së KLD-së si organ qeverisës dhe mbrojtës i pushtetit gjyqësor është totalisht i shkëputur nga dy pushtetet e tjera, dhe ushtron veprimtari vendimmarrëse në bazë dhe për zbatim të ligjit. Vendimi i KLD-së për kufizimin e mandatit të kryetarit të gjykatës nuk bie në kundërshtim me ligjin aktual dhe as pengon parashikimin në të ardhmen me ligj të një mandati të tillë. Kryegjyqtari që në ushtrimin e këtij funksioni ka demonstruar përkushtim dhe profesionalizëm, i ka të gjitha mundësitë për ta vazhduar mbajtjen e kësaj përgjegjësie për një tjetër katërvjeçar. Një qëndrim i tillë në mënyrë të ndjeshme nuk bën gjë tjetër veçse i shërben transparencës, objektivitetit dhe profesionalizmit në sistemin e dhënies së drejtësisë.Emërimi Spahiu tha se, KLD-ja nuk mund dhe nuk do të lejohet që krerët e gjykatave të emërohen me zarfe nën dorë, me pëlqimin e deputetit të zonës, kryetarit të komunës, prefektit të qytetit apo sekretarit të celulës së partisë, por ata do të duhet t’i nënshtrohen një gare të ndershme ligjore.Modeli Aplikimi i një modeli amerikan nëpërmjet sistemit të pjesëmarrjes së publikut, do të rrisë autoritetin e gjyqësorit dhe besimin e qytetareve tek gjykatat. Pushteti gjyqësor nuk mund të trajtohet si një grup normal interesi, por duhet të vlerësohet si pushteti i tretë kushtetues.