Gripi A (H1N1)- ISHP: Nuk kemi raste të reja të konfirmuara

Në vendin tonë nuk janë regjistruar raste të reja të prekura nga virusi A (H1N1), i njohur si gripi i derrit, duke lënë të pandryshuar numrin 20 të rasteve të konfirmuara, bëri të ditur Instituti i Shëndetit Publik. Sipas ISHP-së, priten përgjigjet e analizave edhe për 9 raste të dyshuara, 2 prej të cilëve të moshës pediatrike dhe 7 të rritur. Monstrat e rasteve të dyshuara, të cilat kanë rezultuar me virusin A në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP-së, janë dërguar për t’u analizuar në Laboratorin e Referencës për Europën Juglindore në Bukuresht (Rumani), për përcaktimin e nëntipit. Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, pjesë e rrjetit europian të survejancës së gripit, analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë. Si pasojë e rikonstruksionit të laboratorit të virologjisë në vendin tonë, konfirmimi për llojin e virusit, në lidhje me origjinën nga derri dhe për nëntipin, kryhet pranë Laboratorit të Referencës për Europën Juglindore në Bukuresht, ku dërgohen mostrat e mundshme, por edhe të dyshuara. Për 20 rastet e konfirmuara, sipas buletinit të ISHP-së, rezulton se janë të grup moshave 15-24 vjeç, 10 të tjerë 25-44 vjeç dhe vetëm 2 raste janë të grupmoshës 45-59 vjeç. Nga të dhënat e buletinit, vihet re se shumica e rasteve i përkasin moshave aktive. Për rastet e konfirmuara, 3 prej tyre janë marinarë të huaj të moshës 30, 31 dhe 41 vjeç (Spitali Rajonal - Durrës), të cilët tashmë janë larguar nga vendi ynë. Gjashtë raste janë të lidhura me udhëtimin jashtë vendit, kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa të dhënat tregojnë se për 11 raste të tjera nuk është raportuar lidhje epidemiologjike që të faktojë rrugën e infektimit. Sipas buletinit të ISHP-së, rastet janë kryesisht në Tiranë, 4 raste në Durrës (prej të cilëve tre marinarë të huaj) dhe 1 rast në Saranda. Ndërsa, rasti i parë që rezultoi i prekur me virusin e gripit A (H1N1), ishte një student 20 vjeçar nga Gjirokastra. ISHP sqaron se raste të konfirmuara janë të gjitha rastet, të cilat kanë plotësuar përkufizimin e rastit dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit pandemik A (H1N1) në Laboratorin e Referencës për Europën Juglindore në Bukuresht. Raste të mundshme janë të gjitha rastet, që kanë plotësuar përkufizimin e rastit dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit A në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP-së,Tiranë. Ndërsa, raste të dyshimta janë të gjitha rastet, që plotësojnë përkufizimin e rastit.
...