E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi A/H1N1, rastet e personave të prekur në rritje



Gripi i derrit po shënon raste të reja çdo ditë, të cilat vijnë në rritje. Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se vetëm në QSUT shënohen rreth 50-60 raste në ditë me gripin e derrit, të cilët kurohen në Spitalin Infektiv. Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, pak ditë më parë bëri të ditur se janë 110 raste çdo ditë me virusin gripal, nga të cilët 50-60 raste janë me gripin e derrit, ndërsa të tjerët janë me gripin sezonal. Ai ka kërkuar që qytetarët që vënë re simptomat të drejtohen menjëherë në spitale për të mos rënduar gjendjen shëndetësore. Prej disa ditësh, Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se vendi ynë është pjesë e vendeve që vuajnë nga epidemia gripale. Specialistët e Infektivit deklarojnë se vendi nuk ka hyrë në fazën e pandemisë, ndërkohë që rreth 15 për qind e rasteve me A/H1N1 në ditë shtrohen në spital. Nga 5 rastet e fundit të konfirmuara dhe të kuruara në Spitalin Infektiv, dy prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Kështu, në vend shënohen 3 raste që paraqiten në gjendje të rëndë shëndetësore të shkaktuara nga gripi i derrit. Në të gjithë vendin janë konfirmuar 12 mijë raste në javë nga gripi sezonal. Me uljen e temperaturave stinore, pritet që rastet me viruse stinore dhe ato me AH1N1 të pësojnë një rritje të ndjeshme. Specialistët kanë bërë të ditur se gripi sezonal po shfaqet me simptoma më të rënda se gripi i derrit. Prandaj qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm ndaj dy gripeve.

MSH, në pritje të vaksinës kundër gripit të derrit
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur numrin e dozave të vaksinës që do të sigurohen për vaksinimin e popullatës. Pritet ardhja e 250 mijë dozash të vaksinës kundër virusit dhe do të vijnë në filli të muajit dhjetor. Të parët që do të vaksinohen janë kategoritë më emergjente. Sipas përcaktimit të Ministrisë së Shëndetësisë, faza e vaksinimit do të fillojë me mjekët dhe infermierët dhe më pas do të vazhdojë me gratë shtatzëna, fëmijët, të moshuarit, invalidët etj. Ministria ka këshilluar që qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm ndaj udhëzimeve të dhëna më parë, si dhe kërkoi që pacientët të kryejnë vizita të shpeshta mjekësore edhe për virozat e thjeshta. Sipas specialistëve, shtimi i rasteve ka ardhur si pasojë e ndryshimit të temperaturave dhe ftohjes së motit. Ndryshimet klimaterike kanë bërë që të shtohet numri i personave të prekur nga gripi i zakonshëm dhe kombinimi i dy viruseve e bën më të vështirë situatën dhe evidentimin e virusit.

Metodat kontraceptive, tani informacioni merret edhe në farmaci
Metodat kontraceptive që bëjnë planifikimin familjar, tani do të merren edhe në farmaci. Kjo bëhet për shkak të rritjes së personave përdorues për të shmangur shtatzënitë e padëshirueshme dhe shmangien e sëmundjeve virale. Ministria e Shëndetësisë dhe USAID-i, kanë një projekt për futjen informacionit të këtyre metodave edhe në farmaci, të cilat mund të bëhen të njohura edhe në zonat rurale të vendit. Vetëm 12 për qind e popullsisë përdorin metoda kontraceptive. Ndërsa, 8 për qind e femrave shqiptare përdorin masa mbrojtëse përsa i përket planifikimit familjar. Shifra tepër e ulët, bëhet e ditur dje zyrtarisht nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Nëse para viteve ‘90, askush nuk fliste për këto metoda dhe fushatat sensibilizuese ishin të ndaluara me ligj, pas viteve ‘92, gjendja ndryshoi dhe në vitet ‘96, nisi përdorimi në masë i metodave kontraceptive edhe në vendin tonë. Sipas specialistëve të ISHP-së, femrat shqiptare, megjithëse kanë më shumë informacion për këto metoda, përqindja e përdorimit të tyre është tepër e ulët deri në 8 për qind. Aktualisht në mbi 400 qendra shëndetësore, këto metoda ofrohen falas. Por raporti i përdorimit të metodave kontraceptive, ndryshon mes zonave rurale dhe atyre urbane. Sipas specialistëve, metodat moderne përdoren kryesisht në zonat urbane, dhe mbi të gjitha nga femrat e arsimuara apo me të ardhura ekonomike më të mira.

2 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›