Virusi AIDS ka infektuar 400 shqiptarë, 67 prej tyre kanë vdekur
Emanuela Sako
Numri i personave të prekur nga HIVAIDS në vendin tonë ka shënuar një rritje të ndjeshme, ku vetëm gjatë këtij viti janë evidentuar 55 raste të reja. Në Ditën Botërore Kundër AIDS-it, specialistët e shëndetësisë kanë publikuar të gjitha të dhënat për personat e prekur dhe mënyrën e transmetimit të virusit vdekjeprurës. Aktualisht, në vendin tonë numërohen 379 raste mbartës të këtij virusi, ndërsa viti 2009 shënon numrin më të lartë të rasteve të evidentuara krahasuar me vitet e mëparshme. Specialistët bëjnë të ditur se ka dhe një kategori tjetër të prekurish, të cilët janë raste të paevidentuara dhe në të njëjtën kohë janë të padiagnostikuara.
Statistikat
Në Shqipëri janë shtuar 55 raste të reja më HIV/AIDS, 2 prej të cilëve janë fëmijë të vegjël. Shoqata e Personave të Prekur me HIV/AIDS në Shqipëri, theksoi se nga 379 persona të prekur me sëmundjen e pashërueshme, 21 prej tyre janë fëmijë, ku 2 raste u mësuan vetëm brenda këtij viti. Shumica nga fëmijët e prekur kanë lindur me sëmundjen, që është transmetuar nga prindërit e prekur me virus. Brenda vitit 2009 në vendin tonë kanë gjetur vdekjen 2 persona, të cilët janë fëmijë. Nga të dhënat zyrtare, bëhet e ditur se dy familje janë tërësisht të prekura nga virusi, duke nisur që nga nëna, babai dhe fëmija. ISHP-ja bën të ditur se rruga më e përhapur për transmetimin e infeksionit, në vendin tonë, është nëpërmjet marrëdhënieve seksuale. Por nuk përjashtohen edhe rastet nëpërmjet gjakut, nëpërmjet kalimit vertikal nga nëna te fëmija etj. Përsa i përket seksit të personave të prekur, 243 prej tyre janë meshkuj dhe 107 janë femra. Specialistët theksojnë se kjo vjen si pasojë e mospërdorimit të metodave mbrojtëse kontraceptive, vetëm 5% e të rinjve nga mosha 15-20 vjeç përdorin masa mbrojtëse.
Ministria
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, theksoi se mungojnë mjekët profesionistë për të kuruar dhe kontrolluar këtë virus. Sipas tij, për kurimin dhe trajtimin e kësaj sëmundje, duhen mjekë të kualifikuar, për të cilën sot ka një mangësi. Nga ana tjetër, vendi ynë ka një laborator për kapjen e hershme të virusit, që ofrohet falas për personat e prekur. Ndërkohë që funksionojnë 14 Qendra të Këshillimit dhe Testimit Vullnetar Konfidencial (VCT) në të gjithë vendin. Në këto qendra ofrohet shërbim, testim dhe këshillimin për personat e prekur nga virusi. Ministria e Shëndetësisë po bën përpjekje për të siguruar vazhdimin e funksionimit të qendrave ekzistuese si dhe hapjen e qendrave të reja. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar parandalimit të Transmetimit nga Nëna te Fëmija (PMTCT). Këtë vit është ngritur Qendra e Referencës për PMTCT, pranë Spitalit Obsterik –Gjinekologjik, “Koço Gliozheni”, si dhe është zbatuar një projekt pilot në tre rrethe të vendit.
Shoqata: Mjekët jokorrektë në kurimin e personave
Shoqata e Personave të Prekur me HIVAIDS ka shfaqur pakënaqësi nga mënyra e trajtimit dhe menaxhimit nga ana e personelit mjekësor. Përveç sëmundjes që u rrezikon jetën dhe persekutimit që u bëhet në jetën e përditshme, anëtarët e Shoqatës, shprehen se shqetësues për të infektuarit me virus është jokorrektësia e mjekëve. “Përderisa vazhdojmë të kemi raste të vdekjeve për shkak të AIDS, domethënë që AIDS është i fuqishëm ndaj sistemit shëndetësor shqiptar. Probleme ka në trajtimin me medikamente në ndërprerjet e herëpashershme krijohen probleme me trajtimin dhe sëmundja shfaq rezistencë ndaj ilaçeve”,- kryetarja e Shoqatës së të Prekurve me HIV/AIDS në vendin tonë. Sipas Kryetares së Shoqatës prej mungesës së kujdesit nga stafi mjekësor ka pasur dhe humbje jete. “Cilësia e shërbimit nuk është e normave të duhura. Pacientët trajtohen në mënyrë jo korrekte dhe stigma ndaj nesh ekziston dhe në stafin mjekësor. Kemi pasur raste kur në mungesë të kujdesit ka pasur dhe humbje jete. Pra mjekësia shqiptare është ende e papërgatitur para kësaj sëmundjeje”.
OKB raport për vendet që kanë numrin më të lartë të të prekurve
Në një raport të Kombeve të Bashkuara, paralajmërohet se Evropa Lindore dhe Azia Qendrore janë të vetmet rajone në botë ku shkalla e përhapjes së HIV ende po vazhdon të rritet.
Raporti thotë se rreth 110 mijë njerëz tjerë janë infektuar me HIV në vitin 2008, duke e çuar në 1.5 milionë numrin e përgjithshëm në Evropën Lindore dhe Azi, krahasuar me 900 mijë sa ishte në vitin 2001. Raporti thotë se Ukraina dhe Rusia po përjetojnë epidemi të rënda në rritje. Ukraina e ka shkallën më të lartë të të infektuarve në tërë Evropën, me të paktën 1.6 % të të rriturve. Ndërkohë sot aktivitete sensibilizimi në luftën kundër AIDS po zhvillohen në mbarë botën.
2 Dhjetor 2009