Gripi sezonal, rreth 16 mijë të prekur gjatë një jave
Emanuela Sako
Rreth 16 mijë persona në të gjithë vendin janë prekur nga gripi i zakonshëm, vetëm gjatë një jave. Mjekët bëjnë të ditur se janë shtuar së tepërmi rastet me virusin gripal sezonal, i cili duket se po shtohet me ritme të shpejta. Mjekët bëjnë apel për kryerjen e vaksinimit të të gjithë personave dhe njëkohësisht të mos neglizhojnë situatën. Sipas tyre, gripi sezonal po shfaqet i rrezikshëm, pasi mjaft persona kanë rezultuar në gjendje të rëndë. Gripi i zakonshëm, prek rreth 200 persona në ditë. Ndërkohë që vetëm në Pediatrinë e Tiranës, numri i fëmijëve me simptomat e gripit të zakonshme ka shkuar në 300 raste në ditë. Statistikat tregojnë se edhe rastet e prekura nga virusi i gripit të derrit kanë ardhur në rritje, duke u regjistruar rreth 60 persona çdo ditë.
Simptomat
Simptomat e gripit të zakonshëm janë temperaturë, kollë, të vjella, bark, këputje, dhimbje koke, dhimbje fyti etj. Nga shfaqja e të njëjtave simptoma është evidentuar edhe gripi i derrit. Por këto simptoma janë të njëjta edhe me virusin AH1N1, prandaj mjekët shprehen se është e domosdoshme vizita tek mjeku infeksionist. Kështu, qytetarët duhet të shkojnë tek mjeku infeksionist për të dyja rastet pa krijuar hamulli për kryerjen e vizitës. Specialistët shpjegojnë simptomat e shfaqjes së virusit të gripit të derrit, për t’u mundësuar qytetarëve se si duhet të kuptojnë kur janë të prekur. Mjekët infeksionistë shprehen se virusi qëndron i fshehur në organizëm dhe ai shfaqet në ditën e tretë, nga dita e marrjes së virusit. Ata bëjnë të ditur se simptomat më të forta që shfaqen tek pacientët, janë gjatë javës së parë nga prekja. Specialistët e ISHP-së, shprehen se të gjitha rastet që paraqiten, kanë të njëjtat shenja klinike të gripit, ku personat mund të kenë temperaturë 38 gradë celsius, dhimbje koke, dhimbje fyti, kollë, dhimbje muskulore si dhe lodhje. Mjekët bëjnë të ditur se gjatë evidentimit të virusit nga mjekët, të gjithë pacientët duhet të trajtohen nëpërmjet kurave të posaçme, dhe jo me Tamiflu, e cila përdoret vetëm në rastet e rënda. Ndërsa virusi i zakonshëm gripal kërkon trajtim me medikamente të tjera, por me rekomandimin e mjekut.
Gripi
Farmacitë kanë përfunduar dozat e vaksinës që parandalon prekjen nga gripi i zakonshëm. Situata është bërë e ditur nga farmacistët, të cilët shprehen se nuk kanë më doza në farmaci. Ndërkohë që kërkesat e qytetarëve janë në rritje, pas apelit që ka bërë Ministria e Shëndetësisë për kryerjen e vaksinimit. Pothuajse në të gjitha farmacitë e kryeqytetit kjo vaksinë nuk gjendet. Përhapja e shpejtë e virusit dhe frika nga gripi i derrit i ka nxitur qytetarët t’u drejtohen farmacive dhe prej disa ditësh vaksina ka mbarur në të gjithë njësitë e shitjes së ilaçeve. Farmacistët thonë se janë furnizuar vetëm në fillim të tetorit dhe më pas në depot farmaceutike nuk ka pasur më gjendje pasi ishte siguruar një sasi vogël. Ata bëjnë të ditur se vaksina është në momentin e parë të ardhjes dhe popullsia është e interesuar për të, por në depo nuk gjendet.
2 Dhjetor 2009