Oficeri i akuzuar: Nuk ushtrova dhunë ndaj Trashës
ELBASAN - Oficeri i Policisë së Elbasanit, Besmir Qibini, mohoi dje akuzën për dhunë të pretenduar nga peshëngritësi elbasanas, Gerti Trasha. I kontaktuar nga gazeta ditën e djeshme, Qibini hodhi poshtë deklarimet e Trashës, duke i cilësuar ato tërësisht të sajuara. Duke sqaruar momentin e incidentit të ndodhur mbrëmjen e së shtunës, oficeri tha se ai erdhi pasi ka evidentuar shkeljen e rregullave të qarkullimit nga drejtuesi i një mjeti. Shoferi kishte hyrë kundravajtje në afërsi të kryqëzimit të Cërrikut, duke rrezikuar të shkaktonte aksident. Shoferit i është kërkuar të ndalonte mjetin, por në këtë kohë ka reaguar pasagjeri, i cili rezultoi më vonë se ishte Gerti Trasha, duke lëshuar fyerje ndaj oficerit. Në këto rrethana, sipas Qibinit, është kërkuar prania e patrullës së policisë rrugore për shkelësin e rregullave të qarkullimit si dhe të patrullës së policisë për kundërshtimin për shkak të detyrës nga ana e Trashës. Gjatë kësaj kohe, Trasha ka lëshuar të tjera shprehje fyese ndaj oficerit të policisë. Në deklarimin e tij, Qibini u shpreh dje se Trasha është shoqëruar jo prej tij, por nga patrulla e policisë në komisariat, për fyerje dhe kundërshtim të policisë. Në komisariatin e policisë rezulton se Trasha ka qëndruar vetëm 12 minuta, ku ka pranuar dhe nënshkruar një deklaratë se për incidentin e ndodhur ishte ai përgjegjësi. Oficeri mohon në mënyrë kategorike të jetë ushtruar dhunë ndaj qytetarit Gerti Trasha. Qibini theksoi se përballë akuzave të lëshuara nga Trasha është i hapur për hetimin dhe verifikimin e tyre, deri në zbardhjen e së vërtetës. e.d