E Shtunë, 31 Tetor 2026

I falet dënimi bosit të “Global Foods”

 

Fatos Mahmutaj 

Gjykata i fal 3 vjet e një muaj nga dënimi, Gani Shehut, ish-bosit të skemës piramidale “Global Foods”. Një javë më parë, Gjykata e Tiranës ia ka shuar Shehut dënimin e mbetur prej 37 muajsh. Ky dënim kishte mbetur pa u vuajtur prej Shehut, pasi kishte kaluar afati pesëvjeçar i parashkrimit, kohë gjatë të cilës policia nuk kishte mundur ta vinte nën pranga të dënuarin. Një javë më parë, më 21 maj 2009, ditën që u mbushën pesë vjet e një muaj nga shpallja e vendimit të formës së prerë nga Apeli i kryeqytetit, Gjykata e Tiranës vendosi t’ia shuante dënimin e pavuajtur Gani Shehut. Tashmë, pasi ka marrë në dorë një kopje të vendimit të gjykatës, Shehu është i lirë të lëvizë i pashqetësuar, ndërsa i është hequr edhe emri nga lista e personave të kërkuar. Ish-bosi i “Global Foods”, është dënuar në vitin 2003 nga Gjykata e Tiranës me 5 vjet burg, pasi u gjet fajtor për veprën penale të “vjedhjes me anë të mashtrimit” në dëm të 1430 personave në shumën 115 milionë lekëve të reja. Menjëherë pasi e shpalli vendimin e dënimit, Gjykata e Tiranës vendosi t’ia pezullonte pjesën e mbetur të tij duke e vënë në periudhë prove për pesë vjet. Por pas kësaj qe e pamundur që ai të arrestohej, pasi arriti të fshihej duke u shpëtuar prangave. Në dënimin që dha për të në vitin 2003, Gjykata e Tiranës duke e konsideruar të mjaftueshme qëndrimin e tij në qeli për rreth 15 muaj, vendosi t’ia pezullonte pjesën tjetër. Duke vlerësuar rrethanat lehtësuese. “Është e vërtetë se Shehu ka bërë disa përpjekje për kthimin e huave të marra, sikundër janë asetet, prishja e mjaft kontratave me huamarrësit dhe kthimi i huave, por këto përpjekje kanë qenë tejet minimale në raport me shumat e marra”, argumentoi gjykata në vendimin e dënimit të tij në vitin 2003. Gjykata vlerësoi atëherë rrezikshmërinë relativisht të ulët të së pandehurit, i cili, sipas togave të zeza, që në momentin e fillimit të ndjekjeve penale dhe në gjyq ka pranuar faktin se është përgjegjës për detyrimin civil ndaj publikut të gjerë, ka parasysh faktorët politiko-ekonomike dhe ligjet e kohës që favorizuan krijimin e shumë firmave piramidale në Shqipëri të destinuara për falimentim, qenien i padënuar më parë, faktin që jeton me të ëmën e moshuar. Po kështu gjykata argumentoi se ai vuante nga tuberkulozi, si dhe faktin se prej vitit 1997 e deri në momentin e arrestimit të tij, në vitin 2002, ai nuk i është fshehur transparencës së shoqërisë së tij, madje ka bashkëpunuar me organet e saj, si dhe nuk ka tentuar të largohet ndonjëherë nga vendi. Por ndryshe nga kjo Apeli vendosi ta ndryshonte vetëm formën e dënimit, duke urdhëruar rikthimin e tij në qeli. Po kështu edhe Gjykata e Lartë në vitin 2005, e cila shqyrtoi ankimin e paraqitur nga i pandehuri, vendosi të linte në fuqi vendimin e Apelit, duke bërë që emri i tij të mbetej për pesë vjet me radhë në listën e personave të kërkuar pasi qëndroi i fshehur.

1.15 miliarde
lekë të vjetra u detyrohet Gani Shehu kreditorëve të “Global Foods”, për të cilat pretendon se ia kanë grabitur gjatë trazirave të vitit 1997 në filialin që kishte në Berat.

1430 kreditore
u mashtruan prej Gani Shehut gjatë viteve 1992–1996 për të depozituar në arkën e piramidës së tij kursimet e tyre, nga të cilët tërhoqën vetëm një sasi të vogël, në krahasim me depozitën.

2 qytete
Tirana dhe Berati ishin qendra ku Gani Shehu ushtronte aktivitetin e huamarrjes. Në këto dy qytete ai kishte ambiente të piramidës, ku qytetarët depozitonin shuma të ndryshme parash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›