E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënohen në gjyq prokurorë e gjyqtarë

 

Armand Bajrami

Gjyqtarët dhe prokurorët e “bandës së Durrësit” u kërcënuan dje në sallën e gjyqit te Krimet e Rënda në Tiranë. Seanca e djeshme filloi me replika të forta mes Prokurorisë e Gjykatës dhe më pas degjeneroi në fraza kërcënuese mes të pandehurve dhe gjykatësve e prokurorëve, si dhe në replika mes të pandehurve dhe avokatëve të tyre mbrojtës. Avokatët e të pandehurve, si rrallëherë në këtë proces, ishin të gjithë të pranishëm, ndërsa seanca shënoi dështimin e radhës, duke e çuar kështu në 80 numrin e gjyqeve të shtyra në këtë proces. I penduari i kësaj bande, Adriatik Coli, nuk mundi as dje të dëshmojë, pasi në momentin që gjykata po i jepte fjalën, të pandehurit e bandës nga kafazi “i artë” ndërprenë gjykimin. Ata përzunë avokatët që vetë kishin zgjedhur duke prerë në mes për të disatën herë dëshminë e të penduarit Adriatik Coli, i cili rrëfeu krimet e grupit, duke u kthyer në “bashkëpunëtor i drejtësisë”.
DEBATI
Seanca e djeshme, e cila filloi me procedurën e verifikimit të palëve, mori tatëpjetën në momentin e konfirmimit të mungesës së avokates të Indrit Taullait, njëri nga të akuzuarit si anëtarë të bandës. Sapo kryesuesi i trupës Gurali Brahimllari përfundoi prezantimin e palëve, Prokuroria paraqiti një kërkesë. Prokuroria tha se kërkesa bën fjalë për “një vendim arbitrar dhe krejtësisht të pabazuar në ligj, të marrë nga kryetari i trupit gjykues ndaj prokurorëve një seancë më parë. Duke aluduar edhe për drejtim emocional të seancës nga kryesuesi Brahimllari, prokurori kërkoi mirëmenaxhimin e procesit. “Ju kërkoj ta menaxhoni më mirë këtë proces. Keni dy vjet që ju si gjykatë nuk po arrini të administroni asnjë provë nga 250 të tilla që përmban dosja”, tha prokurori Anton Martini. Kërkesa e organit të akuzës u konsiderua nga avokatët si presion ndaj gjykatës. “Ky është një presion i hapur nga organi i akuzës për gjykatën”, u shpreh njëri nga avokatët.
Pak çaste para se gjykata të shtynte seancën për shkak të mungesës së avokates Mirela Rade, ajo u shfaq në sallë. Prania e saj mundësoi vijimin e procesit me pyetjen e të penduarit Adriatik Coli. Gjykata urdhëroi boshatisjen e sallës, pasi dëshmia do të dëgjohej me dyer të mbyllura gjatë rrëfimit të të penduarit. Në këtë moment ka reaguar i akuzuari si drejtues i “bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha. Ai “shkarkoi” nga detyra dy avokatët e tij, Arben Qeleshi dhe Ilia Ilia. Ata u zëvendësuan me avokatë kryesisht nga gjykata, ndërsa situata në gjyq u tensionua. Sipas burimeve brenda sallës, pas caktimit të avokatëve kryesisht si dublantë edhe për avokatë të tjerë ka reaguar i pandehuri Indrit Taullai. “Do ta shihni, nëse më jepni një avokat që nuk e dua”, mësohet të ketë thënë në formë kërcënimi Taullai, duke iu drejtuar gjykatës e më pas prokurorëve. Acarimit nuk i ka shpëtuar as i pandehuri Coli. “Nuk duan të vijnë të dëgjojnë këta zotërinjtë. Vazhdoni të mos vini në proces, se plumbin do të hani”, mësohet se është shprehur Adriatik Coli për avokatët. Në përfundim gjykata tha se do të njoftojë Ministrinë e Drejtësisë dhe Dhomën e Avokatisë për situatën e krijuar. Seanca e djeshme ishte e 80-ta në radhën e këtij procesi gjyqësor në ngarkim të 17 të pandehurve të akuzuar si anëtarë të “bandës së Durrësit”. Kjo dosje është regjistruar në Gjykatën për Krimet e Rënda në 17 qershor të vitit 2007, ndërkohë që gjykimi ende nuk ka nisur si pasojë e shtyrjeve të njëpasnjëshme.

I penduari i bandës, sot dëshmi në gjykatë për vrasjen e Dritan Dishës

TIRANE – Njëri prej anëtarëve të “bandës së Durrësit”, pikërisht Bujar Gashi, i akuzuar për vrasje, pritet të dalë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda për vlerësimin e masës së sigurisë. Ai u ekstradua nga Milano, Itali, më 26 maj 2009, ndërsa ndaj tij Krimet e Rënda kishin vendosur “arrest me burg” në mungesë, duke e shpallur në kërkim ndërkombëtar. Pas arrestimit në Itali, Bujar Gashi u arrestua atje dhe më pas u ekstradua në Tiranë për t’iu nënshtruar gjykimit për akuzat e ngritura ndaj tij. Por menjëherë pas seancës për verifikimin e masës së sigurisë, në Gjykatën e Krimeve të Rënda pritet të fillojë sot edhe procesi gjyqësor ndaj Bujar Gashit për akuzën e vrasjes si anëtar i “bandës së Durrësit”. Sipas burimeve të konfirmuara mësohet se në seancën e parë ndaj Gashit do të jetë i pranishëm sot edhe i penduari i bandës Adriatik Coli. Atij mësohet se do t’i kërkohet të dëshmojë në lidhje me episodet e krimeve që Bujar Gashi akuzohet se ka kryer në kuadër të “bandës së Durrësit”. I shoqëruar nga dhjetëra efektiva të forcave speciale dhe nën masa të rrepta sigurie, ish-anëtari i “bandës së Durrësit”, Adriatik Coli, tashmë i penduar dhe bashkëpunëtor i drejtësisë, pritet të paraqitet sot në gjykatë për të dëshmuar në lidhje me shtetasit Dritan Disha. Vrasja e Dishës, sipas prokurorisë, është një nga krimet e kryera nga anëtarët e “bandës së Durrësit”, për të cilën përveç të akuzuarit Bujar Gashi që u ekstradua nga Italia, ka dijeni edhe i penduari Adriatik Coli, i cili është dëshmitar në këtë proces.                                tr.so

Akuza: Sekuestro trojeve e pallateve të Lul Berishës

TIRANE – Prokuroria për Krimet e Rënda i kërkoi dje gjykatës konfiskimin e mijëra metër katrorëve tokë, dhjetëra apartamenteve dhe pasurive të tjera të paluajtshme në pronësi të Lulzim Berishës, i pandehur në procesin gjyqësor të “bandës së Durrësit”. Sipas organit të akuzës, pasuritë e konsiderueshme të cilat i përkisnin të pandehurit Berisha apo familjarëve të tij (si persona të tretë) janë siguruar nëpërmjet veprimtarive të jashtëligjshme. Në seancën e djeshme tek Krimet e Rënda, gjykata u njoh me konkluzionet përfundimtare të prokurorisë. Sipas organit të akuzës, hetimit i ishin nënshtruar pasuritë nën emrin e të pandehurit Berisha, si edhe të familjarëve të tij, V. Berisha dhe L. Berisha, si persona të tretë. Sipas prokurorisë, me anë të parave të fituara në mënyrë të jashtëligjshme nëpërmjet veprimtarisë kriminale, i pandehuri Lulzim Berisha ka blerë dhe siguruar pasuri të paluajtshme. “Gjatë shqyrtimit gjyqësor, nga ana e të pandehurit, personave të tretë dhe mbrojtësve të tyre, nuk u paraqit ndonjë provë që të justifikonte ligjshmërinë e këtyre pronave”, thuhej në pretencën e prokurorisë. Në përfundim të konkluzioneve, prokuroria kërkonte konfiskimin e një totali prej 19 mijë metër katrorë sipërfaqe toke “arë”, sipërfaqe të blera nga Lulzim Berisha në vitet 2003-2005, si dhe 1500 metër katrorë “ullishte” të blera nga personi i tretë V. Berisha. Ndaj personit të tretë L. Berisha, prokuroria kërkoi konfiskimin e pasurive të paluajtshme që i takonin asaj, sipas një kontrate mes saj dhe një shoqërie ndërtimi. Sipas kësaj kontrate ajo përfitonte 25 për qind të një objekti të ndërtuar në lagjen 17 të qytetit të Durrësit. Plot 33 apartamente të sipërfaqeve nga 68-124 metër katrorë, 23 garazhe dhe një dyqan 600 metër katrorë ishin pasuritë e kërkuara për konfiskim. Gjithashtu prokuroria kërkoi konfiskimin e një automjeti të tipit “BMV” X5, në pronësi të personit të tretë L. Berisha dhe sipërfaqen prej 234 m2 e quajtur me emrin “Kaldaja”.      ar.ba

Pronat

- 19.000 metër katrorë “arë”, Durrës
- 1500 metër katrorë “ullishte”, Durrës
- 33 apartamente
68-124 metër katrorë, Durrës
- 1 dyqan 600 metër katrorë, Durrës
- 23 garazhe automjetesh, Durrës
- 1 automjet “BMV” X5
- 234 metër katrorë, “Kaldaja”, Durrës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›