U përmbytën nga lumi,protestë për kompensimin
SHKODER - Banorët e komunës Hajmel në Shkodër kërkojnë dëmshpërblimin e përmbytjeve nga lumi Gjadër që në vitin 2003. Por kanë kaluar gjashtë vite dhe premtimi për kompensimin e dëmeve mbeti vetëm si i tillë. Dje, rreth 100 banorë, përfaqësues të 107 familjeve zhvilluan një protestë para dyerve të komunës, ku kërkuan sërish të marrin dëmshpërblimin e përmbytjes. Që në orët e para të mëngjesit, ata lidhën me zinxhirë drynin e portës së jashtme të ndërtesës duke penguar hyrjen e punonjësve brenda komunës. Ky veprim i përfaqësisë së familjeve të përmbytura bëri që kryekomunari i Hajmelit, Lekë Bibaj, së bashku me vartësit e tij të qëndrojnë jashtë ndërtesës për disa orë. Njëri prej përfaqësuesve të banorëve, që kërkojnë dëmshpërblimin nga përmbytja, Mark Lukani u shpreh dje se që prej vitit 2003 kur banesat dhe pronat e tyre u përmbyten nga shirat, qeveria iu premtoi kompensimin e dëmeve. Madje, asokohe u ngrit edhe një grup pune, i cili bëri evidentimin e dëmeve dhe shpërblimin financiar për të gjithë zonën e prekur. Në bazë të përllogaritjeve të grupit të punës, shifra arrinte në masën e 10.6 milionë lekëve. Tashmë pas gjashtë vitesh kur banorët e Hajmelit nuk kanë marrë asnjë lekë, ata shprehen të zhgënjyer. “Tani që ne e nisëm këtë protestë, i garantojmë përfaqësuesve të qeverisë vendore, por edhe ata në Tiranë se nëse nuk do marrim dëmshpërblimin që na takon, atëherë do të përshkallëzojmë protestën”, u shpreh Lukani. Më pas, një përfaqësuesi e protestuesve dhe kryetari i komunës Hajmel, iu drejtuan qytetit të Shkodrës ku zhvilluan një takim me prefektin Maxhid Cungu. Sipas banorëve, pasi prefekti u njoh me shqetësimin e tyre, ata morën premtimin e tij se problemi do të marrë zgjidhje përfundimisht brenda pak ditësh. r.d