E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave, dyshohen dhe 30 persona të tjerë

 

zirina llambro

Pas konfirmimit të 4 rasteve të para me grip derrash, dyshohen edhe 30 persona të tjerë. Kampionët e analizave për ta, pasi janë ekzaminuar në Institutin e Shëndetit Publik do të dërgohen për konfirmim në Rumani ditën e premte. Pjesa më e madhe kanë shfaqur simptoma të lehta të gripit. Sa i përket pacientëve që kanë  pasur një formë më të rëndë, në krahasim me të tjerët, në total janë 6. Prej tyre 2 janë nga Shkodra, 3 nga Tirana dhe 1 nga Elbasani. Ndërkaq dje pasdite laboratori i QSUT ka konfirmuar virusin A edhe për një tjetër person, i cili ka të gjitha shenjat epidemiologjike të gripit të derrave. Ai ishte kthyer disa ditë më parë nga Londra dhe ka shfaqur simptoma të gripit. ”Ky rast është tërësisht brenda epidemiologjisë së gripit të derrave. Ndryshe nga pjesa tjetër e të dyshuarve, të cilët nuk kanë ardhur nga jashtë vendit”, shprehen burime nga Instituti i Shëndetit Publik. Numri i monstrave të marra deri tani ka shkuar në 110.  Pjesa më e madhe e tyre kanë rezultuar negative për virusin A-H1N1. Ndërkaq burime nga Instituti i Shëndetit Publik vijojnë të pohojnë se sasia e Tamiflusë në gjendje është shumë më e vogël sesa nevojat. Por ajo që është më shqetësuese është se edhe dozat që disponohen nga Ministria e Shëndetësisë janë jashtë datës të skadencës. Këtë konfirmojnë burime pranë këtij dikasteri. Sipas tyre, më shumë se 3000 të tillave u ka kaluar afati i konsumit.  Firmat farmaceutike sqarojnë se nëse këto doza janë ruajtur në kushte të mira, ato mund të rezistojnë në mbi tre vjet, por specialistët e ISHP nuk e garantojnë përdorimin e tyre, pasi askush nuk e di me siguri se në çfarë kushtesh janë ruajtur ato. Në spitalet rajonale të vendit janë shpërndarë vetëm nga 5 doza Tamiflu. Rreth 50 të tjera do të dërgohen pak më vonë. Duke parë alarmin që ka përfshirë popullatën, përfaqësuesit e OBSH në Tiranë deklarojnë se nuk ka vend për panik. Sipas tyre, në vendin tonë, ashtu si në disa vende të tjera të Evropës, virusi nuk është shfaqur agresiv”. Ky infeksion deri më tani është shfaqur i lehtë. Numri i të vdekurve prej tij është më i vogël se në rastin e një gripi sezonal në periudhën e dimrit. Por në vijim pritet një shtim i rasteve. Mund të preken 25% apo 30 % e popullsisë, këtë s’mund ta dimë kur ky virus sapo është konfirmuar në Shqipëri”, u shpreh përfaqësuesi i OBSH-së, Anshu Banerjee. Sipas tij, popullata duhet të respektojë të gjitha rekomandimet e dhëna deri më tani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›