E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, emrat e 3800 familjeve që marrin tapitë

 

Qeveria i ka dhënë dje OK kalimit të pronësisë për 3800 familje që kanë ndërtuar në zonat informale. Gazeta boton sot të plota emrat dhe zonat e përfituesve. Kjo është lista e dhjetë që merr OK nga qeveria. Sipas vendimit, në total legalizohen rreth 945 mijë metra katrorë, të ndara në 3011 ndërtime, ose parcela ndërtimore. Përfituesit janë të shpërndarë në 11 qarqe të vendit, ku pjesën më të madhe e ka qarku i Tiranës. Ndërtimet pa leje që legalizohen janë në Tiranë, Elbasan, Durrës, Berat, Fier, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Lezhë, Shkodër, dhe Vlorë. Në lista janë edhe emrat e familjeve që përfitojnë tapinë për shtesat e pallateve në ndërtime të para viti 1993. Në total, legalizohen banesat me shtesa të 103 familjeve, në Tiranë, Korçë, Elbasan dhe qarkun e Gjirokastrës. Vetëm në Tiranë legalizohen shtesat e pallateve të para vitit 1993 për 79 familje. Këto janë të vendosura në njësinë bashkiake shtatë.
Procedura
Pra pas miratimit nga qeveria, ALUIZNI llogarit pagesën që duhet të bëjnë qytetarët për të legalizuar objektin pa leje. Çdo qytetar duhet ta likuidojë faturën pranë sporteleve të bankës. Pas likuidimit të kësaj fature paraqitet të noteri përfaqësuesi i ALUIZNI dhe qytetari që ka ndërtuar pa leje. Te noteri bëhet akti noterial dhe pas kësaj mbyllet i gjithë cikli. ALUIZNI pra jep lejen e legalizimit, bën plotësimin e kartelës së pronësisë. Në të njëjtën kohë që merret leja, ALUIZNI dërgon edhe dokumentet pranë hipotekës. Hipoteka, sipas udhëzimit të ri, brenda 15 ditëve nga paraqitja e dokumentacionit detyrohet të regjistrojë pronën dhe të japë tapinë e re.
Letrat me vlerë
Tarifa e legalizimit mund të paguhet edhe me letra me vlerë. Sipas vendimit, të gjithë ata që janë në proces privatizimi, mund të paguajnë deri në 80 për qind të shumës së detyrimit me letra me vlerë. Pjesa tjetër, 20 për qind e shumës, do të duhet të paguhet me para. Vendimi parashikon që edhe ata që kanë bërë tashmë pagesën, mund të bëjnë një kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI, duke dorëzuar kundërvlerën e pagesës me bono privatizimi, apo letra me vlerë, do të marrin mbrapsht paratë e paguara. Ndërsa për të gjithë ata që janë në proces, do të duhet të përcaktojnë në dokumentacionin e tyre edhe mënyrën e pagesës, pra me apo me letra me vlerë. Pagesa deri në 80 për qind me letra me vlerë, bëhet vetëm për tokat e zëna që janë pjesë e çmimit të diferencuar dhe që shërbejnë për banim. Pra për tokat deri në 300 metra katrorë, brenda vijës së verdhë dhe deri në 500 metra katrorë jashtë vijës së verdhë. Në rast se janë familje do të legalizojë mbi 300 metra tokë brenda vijës së verdhë, ajo duhet të paguajë diferencën e sipërfaqes me çmim tregu. Ligji i qeverisë ka vendosur që edhe për këtë diferencë, të përdoren letrat me vlerë. Por jo në masën 80 për qind, por në masën 50 për qind. Nga ndihma që vendimi i jep familjeve nuk do të përfitojnë ata që do të legalizojnë objekte për qëllime biznesi. Pagesa e këtyre të fundit do të bëhet vetëm me lekë. E njëjta gjë edhe për banesat, katet e para të të cilave përdoren për biznes. Kjo sipërfaqe do të paguhet me lekë, dhe jo me letra me vlerë.

PER TE LEXUAR LISTEN E PLOTE, SHKARKONI GAZETEN NE FORMATIN PDF

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›