E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave, fluks vizitash në urgjencën e Tiranës

Sipas mjekëve të urgjencës së kryeqytetit, pranë tyre janë paraqitur edhe raste të dyshuara me A/H1N1, të cilëve u janë marrë kampionet dhe janë dërguar për analiza pranë laboratorëve të Institutit të Shëndetit Publik 

TIRANE-Paniku për hapjen e virusit të gripit të derrave ka bërë që në urgjenca, poliklinika dhe në spitale të ketë vizita të shumta, pasi druhen se mund të jenë të prekur nga gripi pandemik. Sipas mjekëve të urgjencës së kryeqytetit, pranë tyre janë paraqitur edhe raste të dyshuara me A/H1N1, të cilëve u janë marrë kampionet dhe janë dërguar për analiza pranë laboratorëve të Institutit të Shëndetit Publik. Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit, ndërsa në total numri i kampionëve që po analizohen është mbi 350 të tilla. Aktualisht në vendin tonë janë 12 raste të konfirmuara me A/H1N1, të cilat tashmë janë të shëruar. 3 prej rasteve janë marinarë të huaj, 6 raste janë të lidhura me udhëtimin e tyre kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe 3 raste për të cilat nuk është raportuar lidhje epidemiologjike që të faktojë rrugën e infektimit. Mjekët që punojnë pranë kësaj urgjence shpjegojnë se ky shërbim është ambulator ndaj më së shumti një person konsiderohet si i dyshuar me grip derrash në rast se shfaq simptoma të këtij virusi. Ndërkohë ata kanë shtuar se pranë tyre vijnë shumë raste me helmime nga ushqime, që kanë si shkaktar kryesor konsumimin e ushqimeve të ndenjura si dhe shqetësime që vijnë nga temperaturat e larta. Mjekët specialistë këmbëngulin se higjiena vetjake dhe e ushqimeve, konsumimi i sa më shumë lëngjeve si dhe mosqëndrimi në diell janë disa mënyra për t’u shpëtuar infeksioneve gjatë këtyre ditëve të nxehta të verës.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›