E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Do bëjmë ankimimet tona për zgjedhjet në KQZ

 

Anëtari i Kryesisë dhe Drejtori i Informacionit në LSI, Dritan Ylli, i kërkoi dje forcave politike që ta administrojnë me qetësi rezultatin e zgjedhjeve dhe u shpreh se LSI do të bëjë ankimimet e saj në KQZ-së për të gjitha ato parregullsi që janë vërejtur gjatë procesit zgjedhor. “Lëvizja Socialiste për Integrim do të vijojë edhe me ankimimet përkatëse për të gjithë ato zona, ku ajo ka vërejtur parregullsi gjatë procesit të numërimit. LSI hedh poshtë me neveri të gjitha insinuatat e Partisë Socialiste, që e lidhin Lëvizjen Socialiste për Integrim me ndikimin në vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, apo të çdo lloj Komisioni tjetër vendimor për zgjedhjet”, tha Ylli. I pyetur rreth deklaratave të Fatos Klosit, anëtari i kryesisë së LSI-së, Ylli, tha se deklaratat e tij i shërbejnë Bashkisë së Tiranës. “I kam ndjekur prononcimet ambulante të zotit Klosi nga njëri televizion te tjetri, dhe me keqardhje vërejta që interesi i ngushtë personal dhe nepotik i zotit Klosi me Bashkinë e Tiranës, e përbuzi interesin atdhetar dhe rolin e rëndësishëm të LSI në këtë proces, që hedh baza të sigurta për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha Ylli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›