Gripi i derrave, katër të rinj konfirmohen pozitiv
Dje u konfirmohen edhe 4 raste të reja duke u dyfishuar numri i të prekurve. Po merren mostra në të gjithë vendin
Identifikohen katër të rinj me gripin e derrave në vendin tonë duke e dyfishuar numrin e të prekurve. Rezultatet e analizave të ardhura dje nga laboratori i Rumanisë kanë konfirmuar si pozitive rastet e dyshuara më parë nga specialistët tanë. Këtë e pohon për gazetën "Shekulli" drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, i cili thekson se po merren çdo ditë mostra analizash për raste të dyshuara nga të gjitha zonat e vendit. "Në fakt, tashmë në mënyrë zyrtare mund të themi se numri i të prekurve është dyfishuar pasi rezultatet e dërguara pranë laboratorit të referencës rezultuan pozitive", - pohon Ylli. Bëhet fjalë për tre meshkuj nga Tirana përkatësisht 16 vjeç, 19 vjeç dhe 21 vjeç. Ndërkohë është identifikuar edhe një femër nga Lushnja, 18 vjeçe.
"Kuptohet se tashmë edhe vendi ynë po futet në listën e vendeve problematike, pasi po konstatohen raste të prekurish me gripin e derrave dhe ka plot të dyshuar",- pohojnë specialistët e ISHP-së. Pak ditë më parë, analizat konfirmuan se një student nga Gjirokastra dhe tre marinarë, dy filipinas dhe një rumun, ishin të prekur nga virusi i rrezikshëm. Mostra analizash për persona të dyshuar po merren nga të gjitha anët e vendit për virusin H1N1. Sipas specialistëve të ISHP-së, kjo është dhe një nga direktivat kryesore të OBSH-së, me qëllim mbajtjen nën kontroll të situatës.
"Të paktën në një javë do të merren dhjetëra mostra për të investiguar situatën. Ndërsa burime pranë Spitalit të Infektivit pohojnë se janë gati për të pritur pacientët e prekur nga virusi H1N1. Sipas shefit të këtij shërbimi, Dhimitër Kraja, gripi i derrave ka po ato shenja dhe simptoma që shfaq gripi i zakonshëm. Megjithatë, rastet e komplikuara paraqiten me vështirësi në frymëmarrje, të vjella dhe diarre. "Edhe vdekshmëria e gripit të derrave po rezulton në të njëjtat nivele me epideminë e gripit të zakonshëm. Njerëzit nuk duhet të tremben dhe të mos i kapë paniku nëse H1N1 mbërrin tek ne, pasi virusi nuk do të ndryshojë asgjë në cilësinë e jetesës së qytetarëve",- pohon Kraja.