E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, aksidenti i radhës shkakton tre të vdekur

PAKUJDESIA/ Një parakalim i gabuar mësohet të ketë qenë shkak për përplasjen e një autoveture dhe një kamioni

LEZHË - Një aksident i rëndë ka ndodhur dje në Lezhë, duke shkaktuar tre viktima brenda së njëjtës familje dhe duke lënë edhe tre të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 9:00 të paradites në superstradën Lezhë - Shkodër. Nxjerrja e trupave ka zgjatur më shumë se dy orë, pasi mjeti i aksidentuar ka qenë i dëmtuar rëndë, ndërsa është dashur përdorimi i mjeteve metalprerëse. Ndërkohë, të plagosurit janë dërguar në spitalin e Lezhës e më pas në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Mësohet se katër pjesëtarët e familjes Dema nga rrethi i Tropojës kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip "Mercedes" me targa të Bajram Currit që drejtohej nga Ermal Dema kur janë përplasur me një kamion me targa të Tiranës që drejtohej nga 40-vjeçari Baftjar Dema, punëtor i një firme private.

Përplasja ka qenë e fortë, duke bërë që automjeti tip "Mercedes" të shkatërrohej plotësisht dhe të përfundonte në një grumbull me gurë, ndërsa kamioni ka rënë në një kanal aty pranë. Si rrjedhojë, kanë gjetur vdekjen e menjëhershme Sali Dema, babai i drejtuesit të autoveturës, Fadil Dema, vëllai, dhe 27-vjeçarja Ermira Dema, bashkëshortja e 30-vjeçarit Ermal Dema, i cili mbeti i plagosur rëndë.

I plagosur mbeti edhe Baftjar Vladi, 40 vjeç, si edhe një fëmijë 15-vjeçar, i cili ishte kalimtar i rastësishëm. Identifikimi i kufomave është kryer vetëm 30 minuta pas aksidentit, duke përdorur telefonin e njërit prej të aksidentuarve, i cili vetëm 5 minuta më parë kishte marrë në telefon familjarët. Sipas të dhënave të para, shkak i këtij aksidenti të rëndë që mori jetën e tre pjesëtarëve të familjes Dema nga rrethi i Tropojës ka qenë një parakalim i gabuar i drejtuesit të autoveturës, i cili menjëherë pas parakalimit ka tentuar të futet në korsinë e tij, por distanca e shkurtër ka bërë që automjeti të merrej para nga kamioni, i cili vinte menjëherë pas tij.


 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›